Ballina Politika Vazhdon situata e ngrirë/ Rama dhe Kurti shmangin njëri-tjetrin edhe në Manastir

Vazhdon situata e ngrirë/ Rama dhe Kurti shmangin njëri-tjetrin edhe në Manastir

36
0

Mbeten ende të fortë akujt mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës ishin këtë të diel në Manastir të Maqedonisë së Veriut me rastin e 22 nëntorit, ditës së Alfabetit, por secili me agjendën e vet që nuk u përputh në asnjë moment.

Në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit që bëri bashkë shqiptarët e të gjitha trojeve dhe që përcaktoi alfabetin e shkrimit të shqipes, nuk ka mundur dot të bëjë bashkë Ramën dhe Kurtin.

Rama shkoi në shtëpinë muzë të Alfabetit, por Kurti mungonte.

Rama takoi kreun e BDI-së Ali Ahmeti në opozitë, por edhe Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, të koalicionit VLEN që janë pjesë e qeverisë së vendit.

Në anën tjetër, Kurti takoi vetëm këta të fundit duke vijuar t’i qëndrojë larg Ali Ahmetit të BDI-së.

Rrugë të ndryshme ndoqën edhe në mbrëmje dy kryeministrat. Në një koncert të zhvilluar me rastin e ditës së shënuar, ishte i praniashëm kryeministri i Kosovës Albin Kurti si dhe krerët e partive të VLEN. Kurti mbajti edhe një fjalim.

Rama mungonte. Në vend të tij foli ministri i Kulturës Blendi Gonxhja.

Nuk dihet se kush e shmangu tjetrin, por nuk është e vështirë të besohet se ka qenë Rama ai që nuk e ka dashur Kurtin pranë.

Rama e “zhduku” Kurtin nga fotot 

Pak ditë më parë (12 nëntor) në Samitin e Komunitetit Politik Evropian të zhvilluar në Dublin të Irlandës Rama publikoi rubrikën e tij “Foto e ditës” në Facebook me liderët pjesëmarrës. Fotoja e publikuar nga Rama, ishte prerë çuditshëm dhe Kurtit i dukej vetëm një pjesë e vogël e kokës.

Rasti më flagrant ishte ai i Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi (22 tetor). Rama shpërndau “foton familjare” të samitit të mbajtur në Budva, të prerë në mënyrë të tillë që shfaqte vetëm gjysmën e pjesëmarrësve.

Në këtë mënyrë ai la jashtë kuadrit Albin Kurtin dhe disa liderë të tjerë të rajonit, veprim që shkaktoi reagime të menjëhershme dhe kritika nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe media të ndryshme.

[Si Rama dhe Kurti shmangën njëri – tjetrin të dielën]

Përveç incidenteve me prerje fotografish në samite ndërkombëtare, raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit kanë qenë të ngrira edhe për shkak të protestave që përfshinë Tiranën.

Akuzat për protestat

Që pas nisjes së protestave masive qytetare dhe studentore në Tiranë (të njohura si “Revolucioni i Flamengove”), në qarqet politike dhe mediatike në Shqipëri u hodhën akuza se Lëvizja Vetëvendosje po nxiste trazirat.

Në qershor 2026, Rama i quajti protestuesit e ardhur nga Kosova si “viktima të zellshme”. Edhe në protestat e dhunshme të tetorit, përfaqësues të mazhorancës theksuan se mes protestuesve kishte edhe anëtarë të partisë së Kurtit.

Pak ditë më parë Kurti mohoi kategorikisht përfshirjen e partisë së tij me fjalët se “nuk e kemi zakon të hedhim gurin e të fshehim dorën”, por në të njëjtën kohë shënjestroi qeverinë e Ramës duke deklaruar se qeveritë nuk duhet “t’i përkulen oligarkisë”./lapsi