Wayne Rooney ka kaluar provën e tij të parë të vërtetë si lider në xhunglën australiane. Në episodin e së dielës të “I’m A Celebrity… Get Me Out of Here!”, ish-ylli i Manchester United u përpoq të shuante sherrin që po ziente prej ditësh në kuzhinën e kampit, por ndërhyrja e tij nuk u prit mirë nga të gjithë.
Gjithçka nisi kur gazetarja dhe prezantuesja Mariella Frostrup mori përsipër detyrën e kuzhinieres së kampit. Sipas portalit irlandez Extra.ie, gatimi i përbashkët me prezantuesen e “Big Brother”, AJ Odudu, u kthye shpejt në përplasje, ndërsa aktorja Joanna Page u largua për të shmangur grindjen. AJ pranoi se ndjente tension pasi iu kërkua të merrte drejtimin.
Ironia e ditës: ushqim kishte me bollëk. Mariella dhe komediani Leigh Francis fituan në sfidë 11 vakte për kampin, por gjatë përgatitjes dyshja ra sërish ndesh për mënyrën se si duhej gatuar.
Të nesërmen në mëngjes, Rooney e pyeti AJ-në nëse donte që ai ta ngrinte çështjen dhe e lavdëroi për durimin. Bashkë me të dhe me Claire Sweeney-n, ai iu afrua Mariellës dhe i kërkoi që darkat të kalonin në një atmosferë më të qetë. “Unë jam e qetë”, ia ktheu ajo prerë, duke shtuar se kampit i duhet një sistem për vendime të shpejta dhe jo një pasdite e këndshme bashkëpunimi në kuzhinë. Të tjerët ndiqnin skenën nga larg, duke pëshpëritur se po plaste sherri.







