Sot është 100-vjetori i lindjes së Sulejman Pitarkës të cilin ministri Blendi Gonxhja e kujtoi me fjalët: “Ne sot, kujtojmë dhe nderojmë një figurë të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, aktorin e mirënjohur, Sulejman Pitarka”.
Me interpretimet e jashtëzakonshme të dhjetëra roleve, Pitarka i zbuloi publikut thellësitë e karaktereve në mënyrë të paimagjinueshme, duke i bërë këto role të paharruara e të pazëvendësueshme në kujtesën e artdashësve.
Sulejman Pitarka, është nderuar me disa çmime në teatër dhe kinematografi, me çmimin për “Karrierën”, Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Dibrës.
Ndër rolet e shumta të Pitarkës kujtojmë: Ballë për ballë – (1979), Gjeneral Gramafoni – (1978), Pas gjurmëve – (1978) Gunat përmbi tela – (1977), Tinguj lufte – (1976), dhe shumë role të tjera aq të dashura për publikun.
Sulejman Pitarka lindi në Dibër më 2 shkurt 1924, por në vogëli familja e tij u detyrua të shpërngulej drejt shtetit shqiptar ku u vendosën në Durrës.
Sulejmani ka luajtur me sukses role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, kur ishte në moshën trevjeçare, familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Libri i tij Trimi i mirë me shokë shumë është një dramë për fëmijë ku flitet për Skënderbeun (Gjergj Kastriotin). Një nga aktorët më të spikatur shqiptarë, i cili mban edhe titullin «Artist i Popullit».
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – 1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit.
Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.Ai vdiq me 24 mars 2007.







