Ballina Kulturë Anderseni, shkrimtari i madh që parashikoi se do të bëhej i famshëm

Anderseni, shkrimtari i madh që parashikoi se do të bëhej i famshëm

183
0

Nga Shpendi Topollaj

Koha kur jetoi Hans Christian Andersen, për Danimarkën, ka qenë një periudhë ngjarjesh intensive dhe mjaft të rëndësishme. Dhjetë vjet pasi ai lindi, Danimarka  e detyruar i lëshoi Suedisë, Norvegjinë, kurse dhjetë vjet para se ai të vdiste, ja kaloi Prusisë dhe Austrisë provincat e Leuenburgut, Schlesvingut dhe Holsteinit. Por të gjitha këto, duket se nuk ndikuan fare në krijimtarinë e birit më të madh të atij vendi dhe njeriut aq të dashur për të gjithë fëmijët e botës, që e lexonin me endje, pasi ai u përkthye në mbi njëqindepesëdhjetë gjuhë të huaja. Krijimtaria e tij qe e gjerë; ajo përfshinte poezi, novela, romane e shënime udhëtimesh, por ai mbeti Anderseni i madh, falë përrallave që na la. Njerëzimi gjithmonë ka pasur moshën e tij të fëmijërisë. Nuk e kam fjalën vetëm për kohën derisa njeriu kalon adoleshencën, por për psikologjinë e tyre sipas etapeve historike. Pra kudo, por të marrim vetëm Greqinë a Romën e lashtë, qoftë dhe vendin tonë, dhe do të vëmë re se jo vetëm të vegjëlit, por edhe të mëdhenjtë kanë pasur nevojë për përralla (mite e legjenda), dhe u kanë besuar atyre. Sikurse shumë u besojnë edhe sot e kësaj dite. Kështu është natyra njerëzore; e prirur t`i zërë besë asaj që dëshiron. Realiteti i jetës e ka ndihur Araknën që me imagjinatën e saj të thurrë në pëlhurën e saj ndër shekuj, histori nga më të çuditshmet, por gjithsesi të bukura dhe me mësime të vyera. Edhe shkimtarët që u morën me përralla, këtë qëllim patën; t`i zbavisin dhe edukojnë lexuesit e tyre me vlerat dhe virtytet, me dashurinë për të bukurën e të mirën, madje nuk u ndalën vetëm te bëmat e heronjve njerëz. Ata, ashtu si perënditë, i bënë edhe kafshët të sillen si ata. Dhe ndofta, për formimin e fëmijëve, aq të dhënë pas lodrave me kafshë, kjo ishte dhe mënyra më e drejtë, për t`ua ngulitur një herë e mirë në mendje ato si mësime me vlerë. Ndaj dhe fëmijët, edhe kur rriten e plaken, gjithmonë u mbesin mirënjohës atyre, që me ato që shkruan e treguan gojë më gojë, na e bënë jetën edhe më të bukur e të gëzuar dhe na nxitën fantazinë. Dhe të gjithë e pranojnë, se midis gjithë atyre shkrimtarëve që lëvruan këtë gjini, jo shumë të kollajtë, vendin e nderit e mban Anderseni. Hansi ka lindur në 2 prill të vtit 1805 në Odense të një ishulli me emrin Fion. Ishte bir i një këpucari të këputur dhe i një nëne analfabete që punonte si rrobalarëse. Kur i ati vdiq dhe e la djalin të vogël, ajo nëna pa shkollë e dërgoi të birin që të nxinte në Kopenhagen. Fillimisht punoi si shegert, dhe duke parë se kishte zë të bukur, paraqitet në teatër për t`u pranuar si korist a balerin, por mesa duket kjo nuk shkoi gjatë se edhe zëri i pësoi ndryshime, dhe ai nis punën si zdrukthtar. Futej klubeve për të kënduar a recituar me qëllimin për të siguruar ndonjë të ardhur, gjersa njihet me një njeri i cili i mbeti besnik gjithë jetën. Ai ishte Jonas Collins drejtor i Teatrit Mbretëror, i cili u interesua dhe e futi në gjimnaz, në vit të dytë. Kur shokët ishin nga dymbëdhjetë vjeçarë, mendoni sesi dukej ai tetëmbëdhjetë vjeçari. Por pavarësisht kësaj dhe ngacmimeve që rridhnin, ai e kreu gjimnazin me rezultate të shkëlqyera. Fillon të shkruaj poezi humoristike dhe vodëvile (Vau de Vire – Lugina e Virës), pjesë të vogla teatrale me një akt, që e kishin zanafillën si gjini nga Franca e shekullit të XV- të, dhe një dramë që kaloi në heshtje. Si mbaroi gjimnazin e dërgojnë në universitet, ku arriti gjithashtu rezultate të larta, çka i dha mundësinë që në përfundim të fitojë titullin “Kandidat filozofie”. Kur një dramë e tij u vu në skenë, ai filloi të ndihej i lumtur dhe u bë më i pranishëm në shoqëri, pasi gjer atëherë paraqitja e tij fizike jo shumë e pëlqyeshme, kishte bërë që të tregohej disi i tërhequr. I kishte mbetur mendja te këngëtarja suedeze Jenny Lind, por kurrë nuk mori guximin t`ja shprehte dashurinë asaj. Për më tepër, ai asqë u martua ndonjëherë. Ndaj ajo që të habit më shumë është fakti sesi ky njeri pa familje, madje edhe pa shtëpi për të qënë, dhe pa fëmijë, arriti të futej aq mrekullisht në botën e të vegjëlve, t`i kuptojë ata, t`u njohë interesat e moshës, dhe t`u zgjojë përfytyrime aq të këndshme për botën. Dhe mbi të gjitha, duhet thënë se ku e kishte gjithë atë dashuri për ta. Dhe jo vetëm për ta; pasi ai diku ka thënë se “Unë gjithmonë kam pasur parasysh se shkruaj jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rritur”. Po! Edhe të rriturit ai i ka bërë të mendohen dhe të kujtojnë me mall kohën kur ishin magjepsur duke dëgjuar përrallat e tij. Në vitin 1829 pati një pritje mjaft të mirë tregimi i tij i parë “Një udhëtim në këmbë nga kanali Holmen deri në anën lindore të Amagerit”. Pas “Anjeta dhe Hermani” ai botoi romanin e parë “Parashikuesi” për të cilin, gjithashtu pati një reagim të shkëlqyer. Përrallat e tij janë të qeta, të shtruara, bindëse në llogjikën e tyre edhe pse vetë ai kishte shpesh një temperament të papërmbajtur. Ato, studiuesit e letërsisë i kanë ndarë në tre faza: “Përralla për fëmijë” – viti 1835, “Përralla të reja” – viti 1845 – 48, dhe “Histori” – 1852 -53. Por, kuptohet, fëmijët asqë duan t`ja dinë për arsyetimet dhe komentet e teoricienëve të letërsisë. Për ta ka rëndësi që njerëzit, kafshët, shpendët e vetë sendet, flasin të gjithë me një gjuhë të kuptueshme, fare të thjeshtë në të gjitha ato rreth dyind përrallat e tij. Se edhe vetë autori i tyre është shprehur se përherë e ka parë veten si fëmijë, me gëzimin dhe dëshpërimin që mund t`i vinte një të rrituri nga kjo. Duke qenë vetë me formim filozofik, ai këtë filozofi e ka përcjellë edhe brenda thjeshtësisë së përrallave të fëmijëve. Dhe mendoni sesa e vështirë është ta realizosh këtë. Në një moment ai ka thënë se “Nganjëherë më duket sikur çdo lule e vogël më thotë: vështromë vetëm për një çast dhe historia ime do të hyjë te ti…” Ai, asqë ja ka ditur të merret si me politikë ashtu edhe me zhvillimet sociale. U mor vetëm me vlerat morale, por pa moralizuar, dhe i nguliti kujtdo që e lexoi dashurinë për jetën, familjen, shoqërinë dhe atdheun e tyre. Danimarka e atyre viteve, nuk ishte kjo që është sot. Ajo edhe teatrin e kishte disi primitiv, të ndarë në mes me teneqe, veç për të pasurit dhe veç për shtresat e ulta. Kurse shkrimtari i madh, që si rast përjashtimor, i kishin ngritur monumentin për së gjalli, preferonte të ulej te të varfërit. Një njeri aq i kulturuar të zbresë aq besueshëm te të vegjlit. Edhe për të bredhur nëpër vende të ndryshme Anderseni nuk u kursye. Atje pa dhe mësoi për shumë njerëz e histori që do t`i vlenin për shkrimet e tij. Gjithasht u miqësua me shkrimtarë e artistë nga më të dëgjuarit e asaj kohe si H. Balzaku, A. Dyma, H. Hajne, Ç. Dikensi, R. Shumani, R. Vagneri, F. Listi, Xh. Rosini, B. Mendelsoni me shokë. Ky autor që luajti atë rol aq edukativ te fëmijët dhe shkollat tona, sipas studiuesit Xhahid Bushati, për herë të parë u botua te ne në vitin 1936, nën përkthimin e L. Eftimiadhit, F. Fishtës e K. Shirokës, nga shtëpia botuese “Ora”. Më pas vepra e tij u plotësua nga të tjerë përkthyes të kualifikuar si P. Misha, me shokë. Përkthyesi Vandush Vinçani thosh për të se “Ky njeri i madh dhe i dashur është shembulli i një patrioti të flaktë e të sinqertë, i një luftëtari të pa lodhur për të vërtetën dhe drejtësinë shoqërore, për paqen dhe vëllazërimin midis popujve”. Se përrallat e tij si “Rosaku i vogël i shëmtuar” (aludim për veten, por që doli mjellmë), “Rrobat e reja të perandorit” (që është përkthyer; mbretit), “Sirena e vogël”, “Princi dhe bizelja”, “Bredhi”, “Mbretëresha e dëborës”, “Çakmaku” (me motive popullore), “Klausi i vogël dhe Klausi i madh” (gjithashtu me motive popullore), “Mjellmat e egra” etj. etj. janë njëlloj të dashura si për fëmijët e Danimarkës, ashtu edhe ata të Shqipërisë apo të gjithë vendeve të globit. Se ai sikurse e ka thënë një studiues i veprës së tij “… i kishte këmbët të mbështetura fort në truallin e Danimarkës edhe atëherë kur koka i dilte sipër mbi re…” Dhe që atje lart, ai kishte mundësinë që t`i shihte të gjithë fëmijët njësoj, të bukur, të pafajshëm si engjëj të vërtetë. E mbylli jetën në moshën shtatëdhjetë vjeçare më 5 gusht të vitit 1875 në Roligheg në Kopenhagen, pasi i kishte dalë fjala e shënuar në ditarin e tij se “Unë do të bëhem i famshëm!” Dhe për fëmijët, ai është i pari, pra më i hershmi shkrimtar i famshëm.