Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve së bashku me prodhuesit e fidanëve perimore, kanë rritur sasinë e materialit mbjellës shumëzues bimor të certifikuar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se, “gjatë periudhës janar-dhjetor 2023, Enti i Farave dhe Fidanëve ka certifikuar 44.3 milionë fidanë”.
“Gjatë vitit 2023, kemi 3.6 milionë certifikime më shumë të farave dhe fidanëve, krahasuar me vitin 2022”, tha Denaj.
Ministrja vuri në dukje se rezultatet pozitive janë një tregues i punës së mirë të bërë në drejtim të fuqizimit të sigurisë ushqimore, përmes mbrojtjes së shëndetit të bimëve.
Denaj e cilësoi certifikimin e fidanëve një proces me rëndësi në zinxhirin e sigurisë ushqimore, duke garantuar prodhime bujqësore të sigurta dhe të shëndetshme për të gjithë.
“Certifikimi i farave dhe fidanëve është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të produktit final me cilësi të lartë, duke garantuar shëndetin e konsumatorëve dhe duke plotësuar kërkesat e standardet e tregjeve elitare të eksportit”, theksoi ministrja.
Vitet e fundit është bërë një evolucion shumë i madh sa i takon certifikimit të fidanëve. Një ndër masat e kësaj ministrie ka qenë orientimi drejt fidanëve të certifikuar. Këta fidanë i japin një garanci dhe konsumatorit të vendit, por edhe konsumatorëve në tregjet e kualifikuara ku çohen produktet në eksport.