Ballina Opinion Rishkruarja e historisë, një mision i madh historik

Rishkruarja e historisë, një mision i madh historik

94
0

Shpendi Topollaj 

Kushdo e ka të qartë se shtrembërimi i historisë së një populli, sjell pasoja mjaft të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Askund tjetër më shumë se në Shqipërinë e kohës së diktaturës nuk u zbatua konstatimi i Stefan Cvajgut se “Historia lavdëron vetëm ata që u buzëqesh suksesi”. Fitimtarët e pas Luftës së Dytë te ne, krahas të vërtetave të padiskutueshme, ku ata kishin luajtur një rol mjaft të rëndësishëm, herë pas here, si me qëndrimin zyrtar, si me fjalimet e udhëheqësve kryesorë, me shkrimet e tyre, apo orientimet që jepnin, i dhanë përpilimit të historisë fytyrën që deshën vetë, duke e korrektuar atë sa herë zbulonin “armiq e grupe armiqësore”, pra jo vetëm duke denigruar, përçmuar e akuzuar kundërshtarët politikë, por edhe duke na lënë trashëgim një sherrnajë e përçarje që po e vuajmë edhe sot e kësaj dite. Nuk ka vend në Evropë, për të mos shkuar më tej, ku mospajtimet dhe ndarjet të jenë po ato të 80 viteve më parë, siç po ngjet në Shqipëri. Në realitetet e reja që solli demokracia e pas nëntëdhjetës, është mëse e domosdoshme që të rishkruhet historia e vërtetë, pa pasione politike e hakmarrëse, dhe që i shërben bashkimit tonë. Natyrisht që kjo nuk është një punë aq e lehtë për të mbërrritur deri tek ajo që gjenia e Napoleon Bonapartit e formulonte kështu: “Historia është versioni i ngjarjeve të shkuara, për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”. Thashë që nuk është e lehtë, pasi edhe për vetë “babain e historisë”, Herodotin, Straboni thosh se “në shkrimet e tij ka shumë marrëzira” dhe Ciceroni shihte atje “shumë përralla të pabesueshme”. Po fundja, ashtu si historitë e të gjitha vendeve të tjera, ku ndodhitë e vjetra nuk mund të ndahen edhe nga mitet e legjendat, edhe neve nuk na prish ndonjë punë të madhe fakti që Skënderbeu ishte i gjatë apo i shkurtër, e ndante kalin më dysh me një të rënë të shpatës apo jo. Ne, të keqen kryesore i kemi te trajtimi i këtij shekullit të fundit, me ngjarje mjaft intensive dhe ngatërresa të pafundme, ku mendimet dhe bindjet për to dhe protagonistët kryesorë, ndryshojnë sipas interesave dhe krahëve politikë që historianët, pse jo edhe intelektualët, përfaqsojnë. Nuk ka dyshim se shumë nga autorët e teksteve të historisë, pra ata që i çertifikuan qëndrimet ideologjike të partisë – shtet, jo vetëm që nuk mund të fajësohen për sa ngjau, por edhe i kanë kapacitetet profesionale dhe kulturën për të vijuar kontributin e tyre në hartimin e historisë. Megjithatë, do të ishte e padrejtë që këtë detyrë kaq serioze sot, ta udhëhiqnin po ata. Është e pamundur të mohosh gjithësa ke shkruar deri sa ra komunizmi dhe këtë e them me fakte: Dëgjoja një profesor, historian dhe politikan të nderuar, gjatë një interviste televizive. Atij i qe ngarkuar detyra, natyrisht me të tjerë, të merrej me rishkrimin e historisë. Etika nuk më lejon t`ia përmend emrin, por ai shquhet për dije dhe vetpërmbajtje dhe gëzon respekt tek ata që e dëgjojnë. Por shihni si përgjigjej afërsisht, kur e pyeste moderatori: – Cili është roli i Esat Pashës? – Më i ligu në gjithë historinë tonë, i vulosur si tradhtari më i madh i interesave të Shqipërisë, se ai pas bisedave me princin Danillo, e dorëzoj Shkodrën me protokollin e 23 prillit 1913, kur anijet e fuqive të mëdha që do ta ndihmonin, ishin ankoruar në det dhe dukeshin që nga kalaja. Pastaj, la të kuptohej se edhe Hasan Riza Pashën që e kishte thirrur për darkë, e vrau duke dalë nga dera e shtëpisë së tij. Ishte karrierist dhe donte të bëhej sundimtar i Shqipërisë etj. Unë tek e dëgjoja pyesja veten se a i ka lexuar ky dëshmitë e nëpunësit të Konsullatës italiane në Shkodër Gino Berri dhe sidomos kujtimet e Hortensës, gruas së konsullit të Austro – Hungarisë, dëshmitare autentike e atyre ngjarjeve e cila pohon krejt të kundërtën, duke theksuar se Esati bëri gjithçka në mbrojtje të qytetit që bombardohej rreptë nga serbo – malazezët, ku njerëzit për muaj me radhë, vdisnin si mizat dhe uria i detyronte të hanin minj. Ajo citon fjalët nga më atdhetaret që Esati u tha ushtarëve, parisë dhe hierarkëve të fesë, para se me rregull, flamurë, armë e llogjistikë të largoheshin nga Shkodra; pra, se do të ktheheshin përsëri, se Shkodra ishte e Shqipërisë, se aty kishin varret e të parëve të tyre, pasi princi malazez hipur mbi kalin e bardhë, i kishte thënë se ti po ikën me nder dhe jo i mundur. Profesori, patjetër që i kishte lexuar ato para meje, por sikur donte t`i anashkalonte. Ndofta, te figura e Esatit, për veprimet karrieriste të tij, ka sa të duash vend për qortime, por kjo nuk do të thotë që të mohohet gjithçka qysh nga lindja. Pastaj, moderatori e pyeti për Ahmet Zogun. Profesori nuk mohoi shumë nga vlerat e tij si burrë shteti, por shtoi se ai ka gabuar në periudha të caktuara, duke harruar prishjen përfundimtare me përkrahësit jugosllavë në vitin 1926 pas shtypjes së nxitur nga ata dhe që mori emrin “Kryengritja e Dukagjinit” apo duke e fajësuar atë me nënkuptim për traktatet e 27 nëntorit 1927 dhe atij të pas një viti me Italinë që pasoi me krijimin e Bankës Kombëtare, të Shoqërisë për Zhvillim Ekonomik etj. Po të shihet raporti i ambasadorit të asaj kohe të SHBA Herman Bernstein, drejtuar Sekretarit të Shtetit do të vësh re qëndrimin burrëror, të qartë dhe plotësisht në favor të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj nga ana e Ahmet Zogut. Madje ai shkon më tej duke e cituar atë: “Unë kam në kabinetin e tashmë dy vetë, të cilët ishin kundërshtarët e mi, armiq të mi. I kam marrë në kabinetin tim, sepse besoj se ata mund të jenë të aftë t`i bëjnë shërbim të mirë shtetit. Po përpiqem me gjithçka që kam të bëj të pamundurën, që të shfrytëzoj të gjitha forcat më të mira të aftësisë njerëzore në të mirë të shtetit”. A nuk të kujton ky gjest i rrallë atë që në përshkrimin e Patrik Ravinjanit, bëri Napoleoni me dy ministrat e tij, respektivisht ministrin e brendshëm, Fushenë dhe të jashtëm, Talejranin, që ishin kundërshtarët e betuar të tij? Duke e quajtur mbretin vizionar të zgjuar, ambasadori shton fjalët që ai i tha: “Propozimi i Brianit për një formacion të një bashkimi shtetesh europiane, vështirë se mund të merret si çështje serioze. Për një kohë të gjatë kjo do të mbetet veçse një ëndërr, një ideal i largët, një gjest fisnik i Francës, për të impresionuar botën, sikur ajo po punon për paqen. Unë nuk besoj në seriozitetin e atij propozimi të bërë nga një vend, i cili është duke ndërtuar anije luftarake dhe duke i rritur forcat e armatosura, ndërkohë që i fton vendet europiane të bëjnë një Bashkim Federalist për të ruajtur paqen”. Dhe duke vazhduar më tej me fajet e mbretit, profesori u kujtua për eliminimin fizik të kundërshtarëve të tij, duke mos marrë parasysh sa pohon Sejfi Vllamasi që kishte marrë pjesë në atentatin që i bënë atje në Vjenë teksa dilte nga opera, i cili thotë se të gjithë ne politikanët shqiptarë të asaj kohe, atë mënyrë sjelljeje kishim me ata që i konsideronim kundërshtarë. Iku mbreti më 7 prill të 1939, po kush nga mbretërit e Evropës nuk iku, kur si Italia fashiste na sulmoi neve, ju turr Hitleri vendeve të tyre me armatën e tij? Po i burgosuri politik në kohën e monarkisë, shkrimtari Haki Stërmilli e keni lexuar se ç`thotë për të te libri i tij “Burgu”? I thashë të gjitha këto, jo se jam ndonjë simpatizant i monarkisë, por duke qenë ndjekës i të vërtetës historike, kam dyshimin se a do të mund të dalin ata që e shkruan dikur historinë, nga guacka e portretizimeve të dikurshme. Do kurajë dhe ndershmëri të madhe kjo. Por le të vazhdojmë me deklarimet e profesorit, kur moderatori e pyeti nëse Enver Hoxha ka vepruar ndonjëherë në dëm të interesave të Shqipërisë? Edhe Enver Hoxha, shqiptar ishte. Në historinë tonë patjetër që zë një vend të veçantë si në luftën nacional – çlitimtare, ku ishte udhëheqësi kryesor, ashtu dhe në periudhën e quajtur të ndërtimit të socializmit. Pluset e minuset e tij, tashmë janë të njohura. Por të qëndrojmë te pyetja që ju bë profesorit, të cilës ju përgjigj prerë: Asnjëherë! Pra Enver Hoxha kurrë nuk i paska dëmtuar interesat e vendit dhe popullit tonë. Tani t`i marrim me radhë: A nuk ishte ai që iu nënshtrua diktatit të emisarëve jugosllavë, dhe denoncoi traktatin e Mukjes, duke sjellë kështu përçajen e madhe? A nuk ishte ai që shpartalloi fraksionin e Vlorës vetëm pse ata donin të mos vareshim nga jugosllavët dhe kërkonin Shqipërinë e bashkuar? A nuk ishte ai që shpalli në Berat se unë veproja sipas porosive të Miladinit dhe se qenia ime në krye të partisë u bë formale? A nuk ishte ai që mohoi gjithë ndihmën e aleatëve perëndimorë gjatë luftës dhe përzuri misionet e tyre diplomatike nga Shqipëria? A nuk ishte ai që në mbledhjen e Byrosë tha se tani e tutje, popullit duhet t`ja bëjmë të qartë se Sekretar i Përgjithshëm nuk jam unë, por mareshalli (Tito)? A nuk ishte ai që i kërkonte J. B. Titos se ne kemi vendosur që Shqipëria të bëhet Republikë e shtatë e Jugosllavisë, por na sugjeroni mënyrën sesi do ta realizojmë ligjërisht? A nuk ishte ai që asnjëherë nuk e ngriti aso kohe problemin e Kosovës, ndërkohë që këtu e mbushi vendin me portretet e Tito shpëtimtarit dhe buçisnin rrugët nga himnet kushtuar atij? Po sa djem kosovarë që ikën nga skëterra titiste dhe erdhën në tokën amë, u burgosën, internuan dhe pushkatuan më pas me dyshimin se janë agjentë. Po prerja e marrëdhënieve deri ekonomike me Rusinë pse ata kishin teorinë e bashkekzistencës paqësore apo me Kinën, se kishin pritur H. Kisingerin dhe Presidentin Nikson apo kishin teorinë e ri botëve, a nuk i solli dëm të madh interesave të Shqipërisë që u varfërua deri sa e mbajti shpirtin me tallona? Tani del ndonjë zë që pretendon se Enveri ishte për hapjen e vendit drejt Perëndimit. Këtë mund ta besojnë vetëm naivët, nostalgjikët dhe brezat e pas nja dy a tre shekujve. A nuk janë dënuar rëndë njerëzit tanë për një muzikë, një revistë, një veshje perëndimore, a për një fjalë goje që i bënte jehonë jetesës atje? Po kush na mbylli me tela me gjemba duke na ruajtur me ushtarë me automatik në dorë dhe kush u vuri zhurmues televizorëve që edhe për të parë mat`anë të mos kishim mundësi? Mjaftojnë vetë krimet e pranuara prej udhëheqësve të asaj kohe, për të gjykuar me objektivitet komunizmin shqiptar në regjimin e Enver Hoxhës. Se dëmi nuk qëndron vetëm te malet e detet, por edhe te shpirti e liritë e njerëzve. Frikën rrëqethëse nga sigurimi i shtetit e spiunimet, mos vallë nuk i ideoi dhe instaloi ai, stalinisti i deklaruar? Pra, a nuk janë këto e të tjera veprime monstruoze, ato që i bënë dëmin më të madh shqiptarëve? Këto nuk i mbulojnë dot as ajo që u bë për arsimin, shëndetësinë, hidroçentralet, rrugët, bujqësinë, industrinë etj. pasi po ta gjykojmë kështu, na dalin burra të mirë edhe diktatorët përbindësha Hitler e Musolin. Nuk ka shtet në botë që nuk i bën këto, se fundja është mundi, gjaku dhe djersa e masave popullore që u derdh në to. Fundja, nuk ka asgjë të keqe që t`i njihen si merita edhe asaj partie. Por a do të munden historianët e djeshëm t`i ndajnë këto, ndërsa ngulin këmbë se Enveri asnjëherë nuk i ka dëmtuar interesat e Shqipërisë. Po ç`duhet bërë më shumë për t`i cënuar këto interesa? Kurse në histori, pa tjetër që ai duhet të ketë vendin e tij, se ai vend nuk i është mohuar edhe Neronit me shokë. E gjithë kjo sjell domosdoshmërinë e angazhimit të historianëve të çdo krahu, rrahjen e mendimeve të tyre, studimin e gjithë sa kanë shkruar pararendësit, prurjen e dokumenteve autentike, unifikimin e përcaktimeve dhe definicioneve deri në daljen me një tekst të përbashkët. Si përfundim, mendoj se nuk duhet shpejtuar në rishkruarjen e historisë, se jemi ende nën efektin e trullosjes e mospajtimeve parimore të vetë atyre që nuk e kanë aq të lehtë të dalin mbi veten, për të mbërritur te porosia e Lukianit se “Historia ka një detyrë dhe një qëllim të vetëm – të dobishmen dhe kjo e dobishme nuk mund të ketë burim tjetër veçse të vërtetën”. Rishkruaja e historisë së vërtetë, për ne shqiptarët është më shumë se kaq; ajo nga ana e saj është një mision historik që do të ndikojë fuqishëm në bashkimin dhe jo në ndarjen e popullit të lodhur nga përçarja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu