Makinat super luksoze që u janë sekuestruar anëtarëve të grupeve kriminale në vend, tashmë po përdoren nga policia e shtetit. Mjetet mes tyre edhe makina super-luksoze që e kalojnë vlerën 100 mijë euro, janë ekspozuar pranë Ministrisë së Brendshme dhe tashmë janë gati për shërbim.
Mjetet e sekuestruara tani janë në pronësi të policisë së shtetit dhe kanë edhe logon e institucionit, gati për të dalë në shërbim nëpër rrugët e kryeqytetit.
Siç ka raportuar Report Tv më herët, mjetet e shpejta do t’i kalojnë policisë rrugore për të kapur keqbërësit ndërsa ‘Bishat’ e blinduara do t’i kalojnë repartit “RENEA”.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar më herët se nuk do të shitet asnjë mjet dhe pasuri e sekuestruar nga krimi i organizuar sepse sipas një studimi ndodh që këto pasuri përfundojnë tek të njëjtët persona që i kishin më para.
“Nuk do të shesim më asnjë mjet dhe asnjë lloj pasurie të sekuestruar dhe konfiskuara nga krimi i organizuar sepse nëse i nxjerrim në shitje na ndodh sikurse edhe ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe Italia, sepse pas një studimi doli që ktheheshin sërish tek ata që i kishin përpara”- është shprehur më herët Taulant Balla.