Ballina Politika Akuzat e Metës, reagon ashpër Lulzim Basha: Nuk impresionohen nga deklaratat e...

Akuzat e Metës, reagon ashpër Lulzim Basha: Nuk impresionohen nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’ju fshehur drejtësisë

39
0

Një përplasje në distancë ka ndodhur ndërmjet dy ish-aleatëve, konkretisht kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës dhe kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, akuzoi Bashën për pazare me kryeministrin Edi Rama.

‘Nuk e di kush është treshja më e vjetër e politikës në vend e për cilat pazare bëhet në vend. Dmth unë jam pjesë e një tresheje ku është ish shefi i tij, shefi i tij aktual dhe unë jam pjesë e pazareve që ka votuar ky? Për të cilat ka votuar ish shefi i tij dhe unë kam bërë grevë? Për pazarin e 17 majit? Apo bëhet fjalë për pazarin që mos të jepte alternativë për reformën territoriale? Dhe ai kurrë nuk e solli atë se që atëherë ka qenë në Pazar me shefin e tij aktual. E di gjithë Shqipëria se kush është njeriu I pazareve, kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizmin dhe nuk bëhesh njeri duke lyer flokët, as duke thënë se unë jam fitimtar se bëj lapsuse siç bën presidenti i SHBA.’- tha Meta.

Nga ana tjetër kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Metën se është bërë bashkë me Ramën dhe Berishën në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore. Basha, duke ju referuar Metës, thotë se nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga.

‘Politikanët e vjetër të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar nuk e kanë thjesht betejën me Partinë Demokratike, por, mbi të gjitha, ata e kanë me popullin shqiptar. Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrit, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Personalisht nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman.’- shkruan Basha.