Ballina Politika 33 vjet nga masakra e 2 Prillit, Basha: Një kambanë e përhershme...

33 vjet nga masakra e 2 Prillit, Basha: Një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, e të mbjellim farën e së mirës

65
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përkujtuar 33 vjetorin e masakrës së 2 Prillit në Shkodër.
“Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Europa”, – shkruan Basha.

Postimi i plotë:

Protesta e 2 Prillit 1991 dhe masakra që pasoi është një ngjarje e përmasave epokale që tregon se përmbysjet e mëdha nuk mund të realizohen pa sakrifica të mëdha. Ndonëse regjimi ishte duke dhënë shpirt, ai ishte i gatshëm të godiste pa mëshirë të gjithë ata që donin ndryshim dhe një Shqipëri si të gjithë Europa.

Përulje të thellë dhe nderim të përjetshëm për lulen e rinisë shkodrane, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, martirizimi i të cilëve shënjoi nisjen e një ndryshimi rrënjësor, që sa më shpejt të ndodhte aq më mirë do të ishte për të gjithë shqiptarët.

Edhe pse kanë kaluar 33 vite, duket se e keqja përsërit vetveten, ndaj ngjarje të tilla duhet të na shërbejnë si përkujtim se për Lirinë dhe Demokracinë duhet të shkojmë në betejë përditë.

Kjo datë është një kambanë e përhershme dhe një thirrje e pandalshme se asnjëherë nuk duhet të rreshtim së përpjekuri për t’i tharë rrënjët e së keqes, duke i shkulur një herë e përgjithmonë, dhe duke mbjellë farën e së mirës për një shoqëri dhe komb që e ka të domosdoshëm ndryshimin dhe përtëritjen.