Ballina Sport Teuta në “ashensor”, durrsakët duan “Final 4”

Teuta në “ashensor”, durrsakët duan “Final 4”

15
0

Një gol i shënuar që në pjesën e parë të takimit kundër Egnatias, i ka mjaftuar Teutës për të siguruar tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për të qëndruar jashtë zonës së “play out”-it. Me mbrojtësin Jazxhi i cili shënon një gol shumë të bukur dhe nga ana tjetër Tetova i detyruar të zëvendësojë Xhoel dhe Fernandon për arsye dëmtimesh. Fitorja minimale ndihmon Teutën që të mbajë vendin e shtatë, ndërsa çuditërisht janë ende në garë për një vend në katërshen e parë, nga ku mund të tentojë titullin kampion. Dy takimet e radhës për durrsakët janë me Erzenin dhe Dinamon.

Ekipet e nisin lojën duke u munduar të qarkullojnë topin në gjysmëfushën e tyre dhe duke pritur momentin për të rrezikuar. Daci jep sinjalet e para me kokë pas një krosimi të Kotobellit, por topi shkon jashtë. Teuta kalon në avantazh sapo vjen minuta e 11-ë. Kruja kroson nga këndorja dhe largon me kokë mbrojtja rrogozhinase, me topin që shkon te Jazxhi, i cili “harron” mbrojtësin dhe bën sulmuesin për një moment, duke dribluar dy kundërshtarë dhe bukur me të brendshmen tokazi dhe dërgon topin në rrjetë dhe mposht Sherrin. Nuk shkojnë mirë gjërat për Egnatian sepse Xhoel le fushën e lojës pasi dëmtohet në kokë.

Në vendin e tij futet Spahiu. Janë minutat e Teutës, e cila gjen golin e dytë. Kruja kroson në qendër për Llocin që shënon, por VAR ndërhyn dhe kthen vendimin e Bastarit pasi lojtari durrsak ishte pozicion jashtë loje. Boci ka një tjetër rast të pastër për të dyfishuar, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Spahiu ka një mundësi të mirë në të 28-n pas pasimit të Zejnullait. Sulmuesi vonohet dhe goditja pritet nga Vata. Është sërish Spahiu, i cili futet mirë në zonë pasi kalon Gjinollarin dhe përballë portës, por goditja nuk është e saktë, me topin që del jashtë. Beqja ka mundësi të dyfishojë para se të përfundojë pjesa e parë, por gjuajtja është mbi traun e portës. Një zëvendësim tjetër për Edlir Tetovën, me Fernandon i cili le fushën e lojës duke çaluar, ndërkohë vendin e tij e merr turku Ibrahimoglu.

Fraksioni i dytë nis me një Teutë e cila kërkon të sigurojë tri pikët. Beqja jep një asist për Dacin i cili nuk është i saktë përballë Sherri që pret me këmbë. Po ashtu është sërish mesfushori i Teutës që tenton nga jashtë zone, por topi shkon jashtë. Një krosim drejt zonës bëhet i rrezikshëm për mbrojtjen e Teutës, me Spahiun që tenton me kokë, por merr një reagim spektakolar nga portieri Vata. Faust kërkon të kapë në befasi Sherrin me një goditje potente, teksa portieri bën një pritje mjaft të mirë. Në fund Peposhi lëshon një “predhë” dhe është sërish Sherri që grushton. Pas konsumimit të shtesës, shifrat nuk ndryshojë dhe me rezultatin minimal mbyllet takimi në “Niko Dovana”, ku Teuta vendëse merr tri pikë shumë të rëndësishme për renditjen.