Ballina Rajoni Serbia pret presidentin kinez, Vuçiç: Po na bën nder të pamasë, Jinping...

Serbia pret presidentin kinez, Vuçiç: Po na bën nder të pamasë, Jinping mik i madh

18
0

Presidenti kinez Xi Jinping nis të martën vizitën dy ditore në Serbi, e dyta në më pak se 10 vjet.

Pas ndalesës në Francë, ku në fokus ishin bisedimet për luftën në Ukrainë dhe tregtinë, udhëheqësi kinez do të takohet me homologun Alekandër Vuçiç në Beograd ku në tryezë do të jenë një gamë e gjerë temash, politike, ekonomike dhe teknologjike.

Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” mes dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e quajti Xinë “mik të madh” të Serbisë.

Në një intervistë për mediat kineze, Vuçiç tha se vizita do të sjellë përfitime për të dy popujt.

“Vizita ka një rëndësi të madhe për Serbinë në çdo kuptim. Nderi që ai po i bën vendit tonë me ardhjen e tij është i pamatshëm për të gjithë ne, veçanërisht duke marrë parasysh planet e Serbisë për një përshpejtim të zhvillimit të përgjithshëm, si dhe të kontekstit gjeopolitik global”, tha Vuçiç.

Ekspertët vlerësojnë se vizita e presidentit kinez në Serbi, përveç aspektit ekonomik dhe tregtar, dërgon edhe një mesazh politik- se Serbia ka alternative dhe se përpiqet të punojë për thellimin e bashkëpunimit  me aktorë jashtë Perëndimit. Kina pritet të rikonfirmojë mbështetjen për integritetin territorial të Serbisë dhe qëndrimit të saj për Kosovën.

Vuk Vuksanoviq, studiues i lartë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia, me këtë vizitë, po pozicionohet edhe krah Rusisë.

Delegacioni kinez mbërrin në Beograd në ditën kur, saktësisht një çerek shekulli më parë, gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, u godit ambasada kineze, duke vrarë tre gazetarë kinezë. Sulmi, të cilin Shtëpia e Bardhë më vonë e quajti “gabim”, hapi një fazë të re të forcimit të partneritetit midis Serbisë dhe Kinës.