Ballina Politika PS kalon me nxitim në Kuvend rezolutën anti-korrupsion që kufizon SPAK dhe...

PS kalon me nxitim në Kuvend rezolutën anti-korrupsion që kufizon SPAK dhe saboton reformën në drejtësi, PD zyrtare akuza për pazare

38
0

Me vetëm 9 vota të mazhorancës, ditën e djeshme është miratuar projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”. Projektrezoluta pritet të kalojë të hënën në seancën plenare. Në mbledhjen e sotme, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, propozoi datën 27 maj që projektrezoluta të shqyrtohej në Kuvend.  Duke iu përgjigjur Jorida Tabakut, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së tha se është i domosdoshëm miratimi i rezolutës dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm. Çuçi theksoi se s’ka mbivendosje me kompetencat e asnjë komisioni tjetër dhe as me punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit. “Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Evropian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Pa diskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”, u shpreh ai.

Reagon Tabaku

Por ndryshe mendon deputetja e PD, Jorida Tabaku e cila në një prononcim për mediat pas mbledhjes tha se janë disa kompetenca që i takojnë Këshillit Kombëtar të Integrimit, që edhe ajo e drejton. Sipas Tabakut, Parlamenti ka nevojë për një gjithë përfshirje për ta bërë procesin e integrimit, kombëtar dhe “nuk ka nevojë për të miratuar copa letre që dihet si e kanë fundin”. “Nuk besoj se mazhoranca e ka lartësinë që të na predikojë ne luftën ndaj korrupsionit. Unë si kryetare  këshillit kombëtar të integrimit e kam thënë që lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet në prioritet kombëtar. Deri më sot qeveria nuk e ka bërë këtë. Së dyti janë një pjesë funksionesh me ngritjen e komisionit të posaçëm që i takojnë këshillit kombëtar të integrimit. Janë edhe një pjesë që lidhen me mbikëqyrjen, raportimin dhe monitorimin që nuk i bën dot mazhoranca sepse mazhoranca nuk mund të raportoje tek vetja. Kjo është një detyrë që ligji ja ka dhënë për procesin e integrimit  opozitës. Unë mendoj se parlamenti nuk ka nevojë për një rezolutë tjetër që nuk zbatohet. Parlamenti ka nevojë për një gjithë përfshirë për ta bërë procesin e integrimit proces kombëtar, për të përfshirë të gjithë aktorët dhe partnerët, por ka nevojë që të mos miratojmë copa letre që dihet se çfarë fundi kanë”, deklaroi Tabaku.

Basha hedh akuza

Kjo nismë është kundërshtuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili është shprehur se mazhoranca përmes ndryshimeve ligjore po kërkon të vështirësojë punën e SPAK. Basha u shpreh se kjo i vjen në ndihmë zyrtarëve të korruptuar që ti shpëtojnë akuzave. “Ndryshime ligjore për të vështirësuar punën e SPAK dhe për të ndihmuar zyrtarë të korruptuar ti shpëtojnë akuzave si shpërdorimi i detyrave apo akteve të tjera të rënda ku dëmtojnë palcërisht interesat e qytetarëve shqiptarë, ku zhduken miliona euro që mund të shkonin për të shëruar plagët sociale. Miliona euro merren nga taksat e rritura dhe zhduken në xhepat e zyrtarë të korruptuar. Kjo është aleanca e të korruptuarve kundër SPAK”, shkroi dje Basha. Ndwrkohw Basha shtoi se korrupsioni nuk luftohet me rezoluta. “Vijojmë diskutimet me grupet e punës për Progami qeverisës të Partia Demokratike. Korrupsioni është pengesa më e madhe, për zhvillimin e vendit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri. Prandaj lufta kundër korrupsionit, mbështetja për drejtësinë, transparencë e llogaridhënie në qeverisje janë në fokus të programit tonë, në mënyrë të detajuar. Koha kur qeveria nxit dhe mbështet korrupsionin merr fund. Korrupsioni nuk luftohet me rezoluta në fund të mandatit dhe aq më pak duke vështirësuar dhe tentuar të kontrollosh drejtësinë, por me plane të qarta dhe vullnet politik”, nënvizoi Basha në rrjetet sociale.