Ballina Kosovë ​25 vjet nga kapitullimi i Serbisë

​25 vjet nga kapitullimi i Serbisë

37
0

Sot bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës serbe, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe për 78 ditë me radhë, dhe pas përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi një milion shqiptarë të zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:

c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës

e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, britanik, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.