Ballina Dossier “Vdekja e papritur e Tuk Jakovës vazhdon të mbetet një mister, pasi…”-...

“Vdekja e papritur e Tuk Jakovës vazhdon të mbetet një mister, pasi…”- Dëshmia e rrallë e bashkëshortes së tij: Ja çfarë tha doktori

20
0

Guxoi të thoshte të vërtetën dhe u kryqëzua barbarisht. Pohoi haptas se Enver Hoxha nuk u zgjodh Kryetar i PKSH-së në mbledhjen themeluese dhe përfundoi në ferrin e burgjeve të komunizmit. Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën, njërin nga protagonistët kryesor të fillimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, është sa e dhimbshme aq dhe e mizore. Mita Jakova e shoqja e tij, vite më parë, në një rrëfim për emisionin “Histori me zhurmues”, të gazetarit dhe moderatorit Pandi Laço, në TV “Klan”, zbulon për herë të parë një retrospektivë të plotë të tragjedisë, që përjetoi ish – komisari i Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut.

Me një kujtesë të admirueshme për moshën dhe kalvarin e vuajtjeve, bashkëshortja e Tuk Jakovës, flet për rrethanat në të cilat lidhi jetën me të, kush i besoi detyrën e kreut të njësisë së parë partizane, cilat ishin marrëdhëniet e tij me Mehmet Shehun, kur ndanin përgjegjësitë e komandantit dhe komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese, si lindën konfliktet e para me Enverin dhe kush e inicionte qëndrimin sektar të liderëve komunist ndaj tij, për zbutje të luftës së klasave dhe marrëdhënie komprometuese, me Klerin Katolik, etj.

Pjesa e vuajtjeve dhe dramës pas dënimit të të shoqit për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, zë një vend të veçantë në tregimin e Mita Jakovës, të cilës i është dashur të mbijetojë bashkë katër fëmijët, me shumë mundime dhe sakrifica të jashtëzakonshme.

Gjithsesi, nga gjithë përjetimet e atij kalvari të tmerrshëm, kjo grua fisnike, ka peng kushtet në të cilat i ndërroi jetë njëra nga vajzat dhe enigmën ende të pazbardhur, për mënyrën si vdiq në spitalin e burgut i shoqi, në mbrëmjen e vonë të 26 gushtit 1959…!

Zonja Mita! Flitet se Tuku një nga përplasjet e para e ka bërë lidhur me mënyrën si ishte organizuar Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare?

Një natë para tij po flisnim me Tukun në shtëpi. Ne ishim më shumë se bashkëshortë. Ishim bashkëluftëtarë, ishim shok e, miq. Dhe flisnim si të tillë. Ai më tha se të nesërmen, do zhvillohej plenumi, që do diskutonte për historinë e partisë. “Po ti, – i thashë – do diskutosh, se nuk të kam parë të përgatitesh”? Më tha se do të fliste për shtrembërimet, që i ishin bërë të vërtetave që kishin të bënin me krijimin e partisë.

“Unë jam pjesëtar i atyre ngjarjeve dhe nuk kam nevojë të përgatitem”, shpjegoi ai. “Janë çështje delikate, i thashë, e duhet bërë kujdes”! “E vërteta është e vërtetë dhe nuk ka pse të hezitohet për ta dëshmuar si të tillë”, u përgjigj Tuku me një bindje të padiskutueshme.

Ishte njeri kurajoz Tuku dhe fliste hapur, pa pasur parasysh efektet, që mund të shkaktonte fjala e tij, tek të tjerët. Formalizmi, servilizmi dhe demagogjia, ishin veset që ai i urrente me shpirt…!

Dihet se goditja e parë Tuk Jakovës, i është dhënë në plenumin e vitit ‘55. Kush e vuri në shënjestër dhe cilat ishin motivet e vërteta, të kësaj përplasje?

U bë plenumi i famëkeq. Në fillim u lexua raporti nga Enveri dhe si zakonisht, priteshin diskutimet. Çuditërisht, nuk u ngrit njeri. E kush mund të çohej, të vinte në diskutim, ato që thoshte njeriu më i fuqishëm i kohës.

Hija e të parit i tundonte e, i bënte të mblidheshin në vetvete. U ngrit i pari Tuku. Enveri që mesa merrej vesh, e dinte bindjen e tij, u kollit, si për t’u dhënë sinjalin të tjerëve. Sa mbaroi Tuku ,u bë pushim. Pas pushimit, u ngrit Nexhmije Hoxha dhe iu kundërvu hapur, problemeve që ngriti Tuku.

Analiza e saj, i quante qëndrimet e Tukut, “devijime parimore”. Pikërisht, problemet që ngriti Nexhmija, u bënë më vonë pjesë e rezolucionit të plenumit. Që nga prilli i vitit ‘55, pra që pas këtij plenumi e, deri në qershor që u bë vendimi, Tuku u fut në një rreth të izoluar dhe survejohej pa pushim. Vinte në punë, me roje të dera.

Nuk lejohej të dilte nga Tirana, pa marrë leje zyrtare. Shokët iu larguan që të gjithë. Nuk e takonte askush. Kërkuan të bënte autokritikë dhe të pohonte se; ku frymëzohej në qëndrimet antiparti. Filluan t’i vënë në dukje devijimet, që nga Grupi Komunist i Shkodrës, lidhjet me Klerin Katolik, zbutjen e luftës së klasave, etj.

Tuku, idealist siç ishte, u përpoq të bënte autokritikë, por kjo nuk i vlejti dhe e përjashtuan nga Komiteti Qendror. Menjëherë pas kësaj, na dërguan me familje në Berat. Tukun aty e çuan për të punuar në një zdrukthëtari, në një punishte të vjetër.

Pastaj filloi ajo periudha e persekutimit. Një persekutim çnjerëzor, do të thosha. Nuk kishte gjë më të tmerrshme, nga situata që na u imponua. Njerëzit na shikonin me habi dhe me urrejtje e, na largoheshin menjëherë, sa përballeshim me ta. Iknin, si të shpëtonin nga një sëmundje e keqe.

Pra, ju kaluat nga një shtëpi në “Bllok”, në një strehë mjerane në periferi të Beratit?

Na çuan në Berat, në një barakë të ngritur në mes të një moçalishteje, të mbushur me bretkosa dhe gjarpërinj. Lagështira ishte shumë e madhe. Të katër fëmijët, kaluan konsekuenca të rënda shëndetësore nga jetesa aty. Ndenjëm gati 15 vjet atje. Të izoluar tërësisht. Kjo e vriste shpirtërisht Tukun. Mbaj mënd tronditjen e tij, në çastet kur i morën pistoletën.

Kur e dorëzoi, sipas urdhrit, i’u tha policëve, t’i regjistronin numrin, me shpresën se një ditë do të sqaroheshin gjërat dhe do të mund ta merrte përsëri. E kishte kujtim që nga ditët ilegale të luftës. I hoqën gradat. I hoqën titullin “Hero i Popullit”.

Kishim në atë kohë vetëm njeri-tjetrin. Mbështeteshim vetëm te njëri-tjetri. Tuku, i sinqertë siç ishte, me atë pastërtinë shpirtërore, që e karakterizonte, u ul një ditë dhe i shkroi një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Atë letër, e çova unë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Kërkova ambasadorin dhe më doli sekretari i tij. Ia dhashë dhe u ktheva, duke shpresuar për një reflektim të mundshëm, në qëndrimin ndaj nesh. Pas dy muajsh, aty ku ishim, na u kthye letra, pa asnjë përgjigje. Na i sollën në banesë, ashtu siç ishte.

Të vijmë te një ngjarje tjetër. Tuku pasi përjashtohet nga partia në vitin ‘57, e izolojnë në kalanë e Kaninës…?!

Para se të vijmë te ky moment, desha të shpjegoj rrethanat para izolimit në Kalanë e Kaninës. Në nëntor të vitit ’56, kur ishte pushkatuar Dali Ndreu dhe Liri Gega, ne na sollën vendimin e internimit, që do të thoshte se, do të jetonim në ato kushte, por tani, me një ndryshim të madh.

Çdo ditë duhej të paraqiteshim në Degën e Punëve të Brendshme, për të raportuar. Vazhduam në këtë gjendje, deri në 24 maj të vitit ‘57. Pikërisht në këtë ditë, e cila koincidonte me 13 vjetorin e fejesës, Tukun e izoluan në kalanë e Kaninës, e më vonë në Ishullin e Zvërnecit. Më 4 janar ’58, e arrestuan…!

Mbani mënd përse e akuzuan?

Një mori akuzash bajate dhe pa asnjë fakt konkret. I thanë për “tradhti të lartë” dhe e degdisën në qeli. Shkoja shpesh për ta takuar. Takimet me të, i kisha shumë të shtrenjta. Më kujtohet takimi i parë, kur shkova me katër fëmijët, të cilëve deri atëherë, nuk u kisha thënë se ai ishte në burg, por me shërbim. Na i nxorën nga një deriçkë pas burgut, gjithnjë mes hekurave dhe policëve.

Fëmijët, sa kishin mbaruar shkollën dhe kishin marrë me vete dëftesat, për t’ia treguar Tukut. Të gjithë kishin nota të shkëlqyera. Mënyra si ishte rezervuar pritja, ishte e tmerrshme. Nuk na lejohej, asnjë kontakt fizik. Mua më porositën më herët se, në qoftë se do t’i jepja dorën, do ta ndërprisnin takimin. Tuku sa u afrua, zgjati dorën i përmalluar. Nuk dija çfarë të bëja. Çova krahët lart dhe i kryqëzova në shpatullat e fëmijëve.

E bëra për t’i lënë të kuptonte Tukut, se nëse nuk mund të takohemi bashkë, unë po i përqafoj fëmijët edhe për ty. Ky ka qenë takimi i parë. Edhe më rrëqethës, ka qenë ai i fundit. Ishte data 22 qershor 1959. Shkova si gjithnjë me fëmijët, në takim. E kishte marrë shumë malli. Këtë here, vajza e vogël shkonte për t’i thënë të atit, se kishte mësuar për të shkruar. E takuam mes dy palë hekurave.

Roje ai andej, roje ne këtej! Kërkoi të përqafonte fëmijët. Nuk e lejuan në asnjë mënyrë. “Të paktën atë të voglën”, iu lut policëve. “Jo as atë”! Reaguan ata me ashpërsi. Ndërkaq, Tuku i përlotur e i revoltuar, iu drejtua oficerit të Ministrisë së Brendshme, që na shoqëronte. “Kjo që po ndodh këtu, nuk ka ngjarë as në burgjet e fashizmit”. Në çast fëmijët, ia dhanë të qarit me dënesë.

U krijua një situatë tejet e rëndë dhe nuk dija si të bëja. Zërat urdhërues e brutalë të policëve, i dhanë fund takimit. Ishte i fundit ky. Vetëm pak më vonë, në gushtin e vitit 1959, nga burgu, e çuan në spital, ku ndërroi jetë në rrethana misterioze…!

Si u lajmëruan, për vdekjen e tij?

Më 19 gusht ’59, shkova për ta takuar në burg. Mirëpo sa u paraqita aty, më thanë se është shtruar në spital. Kur pyeta për çfarë, më qetësuan, duke më sqaruar se; ishte diçka e parëndësishme. “Një apandesit i lehtë”, më shpjeguan. “Ka shkuar për ta operuar dhe pas një jave, do kthehet prapë”. Më 26 gusht ’59, më lajmëruan se Tuku është shumë sëmurë. Madje, më njoftuan se do më çonin me makinë, prandaj duhej të merrja me vete dhe fëmijët.

Ashtu bëmë. Hipëm në makinë dhe u nisëm me shpresën, për ta gjetur me frymë. Fillimisht shkuam në ministri, siç ishte rregulli. Aty na priti Filat Muçua, i cili pa bërë zë, më tha mua për ta ndjekur nga prapa, në zyrat e thella të katit të parë të ministrisë. Hyra aty në një dhomë të madhe. Nuk më mbanin këmbët dhe gjeta një tavolinë, për t’u mbështetur. Nuk mu durua dhe e pyeta: “Çfarë do më thuash? Çfarë ka ndodhur me Tukun”? “Tuku vdiq mbrëmë, – tha ai, – në orën 12:00”.

“Ne ia bëmë të gjitha, – vazhdoi, – por aq e kishte shkruar, siç thotë populli”. Sakaq më njoftoi për një “privilegj” që më kishin rezervuar me këtë rast. “Si rregull, sqaroi Muçoja, atë që vdes në burg, nuk lejohet ta shikojnë familjarët. Po rasti i Tukut, është i veçantë dhe ty do të lëmë ta shikosh”. Si kaluan disa çaste dola dhe mora rrugën e morgut. Kur mbërrita aty, pashë që nga dera përballë, po futej nëna e Tukut, bashkë me vëllain e tij, Kol Jakovën.

Kapërcyem portën dhe u gjendëm brenda. Kur ç’të shikonim. Pamja e ishte tronditëse. Aty për aty mblodha veten dhe fillova të komunikoj me të. “Tuk i dashur, – i thashë, – fli i qetë, se unë do të bëhem e fortë, siç doje ti. Mos kij merak për fëmijët. Ata do t’i nxjerr në jetë e, do t’i shkolloj, sikur të kisha dhe ty në krahë”. Në fund pastaj kur do t’i jepja lamtumirën e përshëndeta siç përshëndesnim dikur partizanët, që vriteshin në front. Çova grushtin lart dhe shqiptova formulën magjike: Vdekje fashizmit, shpirti im”!

Dhe ika, ika duke mos e ditur ku të shkoja. Nëna e Tukut më hodhi krahun dhe dolëm bashkë në oborr. Aty ajo nuk u përmbajt dhe filloi me dënesë: “Tuk o bir, që s’tu ndodha pranë”. Nuk kaluan vetëm pak çaste dhe policët na lajmëruan, për t’u larguar. Ndërkaq, kishte mbërritur edhe makina, që do na çonte në Berat. Vjehrra iu lut oficerit, që na shoqëronte, për të na lënë atë natë në Tiranë, te shtëpia e saj. “Jo”, i tha ai prerazi. U nisa e shkova të takoja fëmijët.

Ata më prisnin sy e vesh, çfarë lajmi do t’u çoja për Tukun dhe më pyetën menjëherë: “Si është babi”? “Tani nuk keni më babi, – u thashë, – por hajde se do të shkojmë në shtëpi”. Mbrëmja na zuri te plepat e Durrësit. Ishte ditë dasme dhe aty afër dëgjohej një orkestër, që shoqëronte ritmet e këngës së dasmorëve. “Eh, – thashë me vete, – si qëlloka kështu në jetë. Dikush qan e mbytet nga trishtimi, të tjerët këndojnë e shpërthejnë nga hareja…”!

Çfarë dini për rrethanat në të cilat Tuku ndërroi jetë në spitalin e Burgut?

Autoritet zyrtare, u mjaftuan me ato pak shpjegime. E ku mund të pyesje tjetër. Sidoqoftë pas vitit ’90-të, erdhën opsionet e para, për vdekjen misterioze të Tukut. I pari që na ka sqaruar rrethanat e asaj nate fatale, ka qenë një banor nga Velipoja, i cili ka qenë shok i dhomës, në spital me të.

Ja si na i rrëfeu ai: “Na i sollën në dhomën tonë, pa shpjeguar se kush ishte. Që nga çasti që e sollën, shtuan rojet. Pas dy tre ditësh u përmirësua dhe filloi të komunikojë. Morëm vesh se e kishte operuar kirurgu Aleko Bozgo.

Ditën e katërt, shëndeti i tij u përkeqësua. I hipi një temperaturë shumë e lartë dhe dridhej i tëri. Natën e fundit erdhi një doktor tjetër, që e vizitoi. Kur e pyetëm për gjendjen e tij, nuk na foli fare. Pak momente më vonë, erdhi doktor Ylvi Vehbiu.

Si duket e kishin thirrur dhe atë për Tukun. Kur doli nga vizita, e pyeta se çfarë ka. ‘Nuk ka shpëtim’, m’u përgjigj dhe më sqaroi se në kartelë, ishte shkruar që i kishte plasur tëmthi, por nuk është e vërtetë, nuk i ka plasur”.

Ne kemi folur më vonë vetë me doktor Ylviun. Atë natë e kishin lajmëruar për ta vizituar, disa orë para se të ndërronte jetë. Ja si na i kallëzoi doktor Ylviu: “Kur shkova, Tuku ishte në kllapi. Me temperaturë shumë të lartë. Ishte në agoni të plotë. Unë nuk kisha se çfarë të bëja, vetëm sa t’ia lehtësoja agoninë.

Mbaj mënd që një moment u kthjellua dhe tha ‘E kanë gabim që veprojnë kështu dhe ecin në kundërshtim me zhvillimet botërore…”! Pak a shumë edhe sot e kësaj dite, janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Tuku. Më shumë se një vdekje, duket si një vrasje, në spitalin e burgut.

Pyetje: Ndërkaq keni pasur dhe një fatkeqësi tjetër në jetë…?!

Po, një fatkeqësi me një nga fëmijët, që është dhe më e rëndë. Fëmijët me thënë të drejtën, i kam pasur shumë të mirë. Përparimi i tyre në shkollë dhe sjellja shembullore, më dhanë kënaqësinë, që nuk më shkoi mundi kot me ta. Vjosa, ishte nxënëse e shkëlqyer. Mbaroi gjimnazin me rezultate shumë të mira. Duhej të aplikonte për shkollë të lartë. Po kush mund të guxonte ta çonte në universitet vajzën e armikut të popullit Tuk Jakova.

Pikërisht në këtë situate, ajo i bëri një letër Mehmet Shehut. Ajo mbante për emër, pseudonimin e tij të kohës së luftës. Për çudi dhe kur nuk e prisnim, i erdhi përgjigjja se ishte miratuar e drejta e studimit për Kimi-Biologji. E nisi me shumë gëzim shkollën e lartë. Në vitin e tretë, pësoi një tronditje shumë të madhe. E gjitha erdhi nga braktisja, që i bëri djali që dashurohej me të. Ishte një braktisje për motive biografike. Me sa duket dikush kishte ndërhyrë dhe i kishte kujtuar atij, pasojat që do të kishte nëse do bëhej dhëndri i Tuk Jakovës.

Nejse në tronditje e sipër, shkoi bashkë me shoqet në hekurudhë në aksionin e rinisë. Më 1 qershor qëlloi dita e zgjedhjeve. Si ngaherë na jepnin më parë fletën e zgjedhjes, me të cilën do shkonim për të votuar. Ajo e mori si gjithë të tjerët dhe e futi në komodinën e saj. Çuditërisht, kur erdhi dita e zgjedhjeve, nuk e gjeti ku e kishte lënë. Dikush me sa duket, ia kishte rrëmbyer djallëzisht.

E thirrën në shtab. “Bija e armikut”!, i thanë me tërsëllimë. Çfarë nuk i bënë. E terrorizuan, ashtu siç ishte e sollën në shtëpi në Berat. Ishte shpërfytyruar, aq sa mezi njihej për fytyre. Një muaj ndenji brenda, pa dalë fare. Madje i donte dhe dritaret të errëta dhe i mbulonte me batanije. Nuk hante. Nuk pinte. Nuk fliste. Në këtë sfilitje, shkoi deri në fund. Eh, Vjosa e nënës….!

Letra e fundit e Tukut nga burgu

E dashtun Mita

Besoj se tash e tutje, letrat kanë me na ardh më shpejt, mbasi na lejuan t’i nisim me postën e zakonshme. Gjithashtu mora edhe një mijë lekët, që më kishe dërguar. Siç duket pllaka që dëgjove në radio; “Gëzim në familje” dhe që të dyve na pëlqen aq shumë, të kishte ngjallur iluzione të bukura, sidomos në pragun e 28 dhe 29 Nëntorit. Më vjen shumë keq, që iluzionet mbeten iluzione por, do të më vinte më shumë keq, në rast se do dëshpërohesh.

Ne këtej, po kërkojmë t’iu lejojnë të na vini me na pa, dhe të rrini këtu bashke me ne, të paktën 24 orë. Mbasi vendi që na kanë përcaktu tash për tash për takime, është i papërshtatshëm për stinën e dimrit dhe kemi frikë, mos na ftohen fëmijët. Mitë, unë jam mirë me shëndet dhe mos bën merak për mu, por shiko veten dhe kalamajtë.

Të fala e përqafime.

T’puth, Tuku

Kush ishte Tuk Jakova?

Tuk Jakova, i lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1914, ishte një nga pjesëtarët kryesor të grupeve komuniste të qytetit të tij. Ai bashkë me Qemal Stafën, Zef Malajn dhe Vasil Shanton, morën pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941. Aty u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qendror provizor. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, u caktua komisari Brigadës së parë Sulmuese, i Divizionit të Parë dhe i Korparmatës së Tretë.

Pas çlirimit, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral, Kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946, deri në vitin 1950, ishte një nga njerëzit më me pozitë të kohës, pas Enver Hoxhës. Për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij, në vitin 1951, Tuk Jakova u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955, u përjashtua nga posti i anëtarit të Komitetit Qendror dhe u la për t’u diskutuar qëndrimi, edhe si anëtar thjeshtë i partisë.

Në nëntor të po këtij viti, bashkë me familjen e internuan në Berat, ku vetëm pas dy muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës. Në vitin 1958, arrestohet dhe akuzohet për tradhti të lartë ndaj atdheut, për agjitacion e propagandë dhe në bashkim të akuzave dënohet me 20 vjet heqje lirie. Vdes në vitin 1959, në spitalin e burgut të Tiranës, në rrethana që mbeten ende të dyshimta. Memorie.al