Ballina Europë Le Pen e “shkërmoqi” në zgjedhjet europiane, Macron shpërndan Parlamentin

Le Pen e “shkërmoqi” në zgjedhjet europiane, Macron shpërndan Parlamentin

20
0

E pabesueshme ajo që ka ndodhur në Francë në harkun e pak orëve. Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, teksa Presidenti Emmanuel Macron në daljen për mediat pas mbylljes së kutive të votimit për zgjedhjet europiane ka njoftuar shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare.

Partia e Macron është “shkërmoqur” në zgjedhje nga ekstremi i djathtë, i drejtuar nga rivalja e tij historike Marine Le Pen, dhe kreu i Elizesë për herë të parë që nga viti 1997 vendos të shpërndajë Parlamentin.

Ky nuk është një rezultat i mirë për palët që mbrojnë Evropën. Prandaj nuk mund të veproj sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, tha kreu i shtetit në fjalimin pas disfatës historike.

Lista e partisë së Macron, e kryesuar nga Valérie Hayer mori 15.2% të votave, krahasuar me 31.5% për “RN” e Le Pen, sipas një vlerësimi të bërë nga instituti Ipsos, ndërsa 5 vjet më parë, hendeku midis dy partive ishte jo më shumë sesa 1 pikë përqindje.

Gjatë fushatës së javëve të fundit, kreu i listës së ekstremit të djathtë, Jordan Bardella kishte këmbëngulur vazhdimisht se do të kërkonte një shpërbërje të Asamblesë në rast të fitores dhe këtë thirrje e përsëriti sërish para se Macron ta komunikonte vendimin.

Hendeku i paprecedentë pasqyron një mohim dhe refuzim të ashpër të politikës së udhëhequr nga Emmanuel Macron. Ai nuk mund të bëjë si i shurdhër”, këmbënguli Bardella.

Zgjedhjet e reja në Francë pritet të zhvillohen 20 deri në 40 ditë nga shpërndarja e Asamblesë Kombëtare, sipas nenit 12 të Kushtetutës.

Ndërkohë në vendin e tretë në Francë renditen socialistët me 14.3%, Franca e Pabindur e Jean-Luc Mélenchon me 8.3%, republikanët e qendrës së djathtë me 7% dhe ambientalistët me 5.6%.

Pjesëmarrja vlerësohet në 52.5% të elektoratit dhe është pjesëmarrja më e madhe në zgjedhjet evropiane në 30 vitet e fundit në Francë.