Ballina Rajoni Mori djalin në avionin qeveritar për ndeshjen me Spanjën, nisin hetimet për...

Mori djalin në avionin qeveritar për ndeshjen me Spanjën, nisin hetimet për kryeparlamentarin e Kroacisë

23
0

Kroacia po përgatitet për t’u përballur me Shqipërinë, në orën 15:00 të së mërkurës në Hamburg, por në Zagreb politika po zien për një skandal që lidhet me ndeshjet e kombëtares.

Mediat zbuluan se kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviç, në konflikt të pastër interesi kishte marrë me vete në avionin qeveritar, që fluturoi drejt Berlinit për të ndjekur ndeshjen me Spanjën, edhe të birin.

Të hënën, Komisioni për Vendime në Konflikt Interesi nisi një hetim kundër Jandrokoviç. Kryetarja e komisionit, Aleksandra Joziç Ilekoviç tha se do të shihet nëse janë plotësuar kushtet për inicimin e procedurës kundër Jandrokoviç.

Ajo ka konfirmuar se informatat për udhëtimin e kryetarit të Kuvendit dhe djalit të tij me avionin e qeverisë për ndeshjen e së shtunës i kanë marrë nga mediat. “Na kanë thirrur gazetarë të shumtë, kështu që pas kësaj kemi vendosur ta nisim hetimin”, tha Joziç Ilekoviç.

Kryeparlamentari ka folur për publikun duke thënë se është “krijuar përshtypja se bëra diçka që nuk ishte praktikë dhe në përputhje me rregullat”.

“Veprova siç ishte praktika në Katar. Kam marrë një ftesë për të ndjekur ndeshjen. Është praktikë aktuale ku vendi pritës fton përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të vijnë dhe të shikojnë ndeshjen. Protokolli i qeverisë është njoftuar se 8 vende janë të destinuara për delegacionin e Republikës së Kroacisë.

Sa i përket djalit tim… Në kampionatin botëror në Katar shkuam në shoqërinë e familjarëve, në atë kohë nuk u hap asnjë procedurë dhe as na u dhanë udhëzime se nuk po zbatonim rregulloren. Duke iu përmbajtur asaj që ndodhi në Katar, unë veprova në një mënyrë identike. Në njoftimin e largimit, deklarova se do të më shoqëronte djali im i vogël, i mitur. Dje u habita që një pjesë e mediave shkruanin sikur të ishte diçka e re, sikur të mos kishte ndodhur më parë”, tha ai.