Ballina Ekonomia ​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

9
0

Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit zbriti në 2.1% në qershor 2024, nga 4.5% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur INSTAT.

Sipas INSTAT, në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet.

“Konkretisht, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 0.72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.27 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me 0.07 pikë përqindje. Ndërkohë që çmimet në grupet si “Shërbimi arsimor” me 0.06, “Transporti” me 0.05 dhe “Argëtim dhe kulturë” u rritën nga 0.04 pikë përqindje në 0.06 pikë përqindje”, thekson INSTAT.

Krahasuar me muajin qershor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 3,4 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 3,3 %., raporton ATSh.

Krahasuar me muajin Maj 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,1 %, pasuar nga “Transporti” me 0,4 %.