Ballina Politika Basha: Progres Raporti i BE-së tregoi se Rama dhe Berisha bashkëpunojnë kundër...

Basha: Progres Raporti i BE-së tregoi se Rama dhe Berisha bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve.

25
0

Kreu i Partisë Demokratike- Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka rrëfyer në emisionin “Ekspres” të gazetarit Nolian Lole në RTSH1, pazaret e politikës siç i ka cilësuar ai, midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha.
I pyetur nëse po bën opozitë ndaj opozitës, Basha tha se në fakt është ish-kryeministri Berisha ai që po e realizon një gjë të tillë, duke bashkëpunuar me kreun e qeverisë.
“Opozita e opozitës është ajo që edhe BE e tregoi qartë që Edi Rama dhe Sali Berisha bashkuan votat për të nxjerrë 105 individë të korruptuar të qeverisë së Edi Ramës të dënuar nga GJKKO, për t’u dhënë lirinë. Bashkëpunimi tjetër është mbyllja e listave që shkon kundër aspiratave të qytetarëve që ta zgjedhin ata deputetin”, u shpreh Basha.
A do ketë qeveri teknike?

Duke folur mbi protestat e forcws politike të drejtuar nga ish-kryeministri Berisha, , Basha tha se këto protesta nuk janë për të arritur në formimin e një qeverie teknike.

Sipas tij, të gjitha këto janë për të “mbuluar pazaret e njëpasnjëshme me Edi Ramën”
“Protestat e sotme nuk janë për qeveri teknike. Ato janë për të mbuluar pazaret e njëpasnjëshme me Edi Ramën. E kanë të kotë. Jo se kështu them unë, po kështu thonë demokratët. Kështu thonë edhe ata që kanë qëndruar pas z. Berisha me shpresën se ky me të vërtetë për 6 muaj do ta rrëzonte Edi Ramën. E kanë kuptuar që as për 1 vit, as për 2 vjet nuk është hedhur asnjë hap serioz në këtë drejtim. Por përkundrazi janë rakorduar edhe një herë interesat e Sali Berishës dhe Edi Ramës me pazare si ato që tregova”, tha Basha.

Basha komentoi edhe arrestimin e Ilir Metës. Sipas tij, mënyra e arrestimit të ish-presidentit të vendit ishte për të bërë pis Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

“Mënyra se si është vepruar është një përpjekje për të bërë pis SPAK-un. Qytetarët duhet ta dinë se nuk është SPAK-u që arreston dhe as BKH. Këto kryhen nga struktura e Policisë së Shtetit siç kanë qenë gjithmonë nën drejtimin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Një shfaqje e tillë e shëmtuar ia doli për fat të keq ia doli të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga fakti i arrestimit të një prej figurave protagoniste prej 34 vitesh në politikë për akuza korrupsioni te mënyra e arrestimit”, theksoi Basha.