Ballina Aktualitet Veliaj humbet jo vetëm lirinë, por edhe mbrojtjen/ Kryebashkiakut i ikën avokati,...

Veliaj humbet jo vetëm lirinë, por edhe mbrojtjen/ Kryebashkiakut i ikën avokati, ja kush u caktua

216
0

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme po zhvillohet seanca për gjyqin paraprak të dosjes Veliaj, ku kryebashkiaku i Tiranës ka këmbëngulur për t’ju vënë në dispozicion dosja dhe për t’u nxjerrë nga kafazi i sallës.

Veliaj ka larguar nga mbrojtja e tij avokatin Artan Gjermeni pasi GJKKO i rrëzoi këtij të fundit kërkesën e mosqëndrimit në kafaz të Veliajt gjatë seancave gjyqësore. Pas largimit të avokatit, gjykata i ka caktuar Erion Veliajt si avokat kryesisht Valentina Teodoreskun. Veliaj kërkonte që të zbatohej i njëjti standard i zbatuar me të pandehur të tjerë që kanë bërë të njëjtën kërkesë.

“Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate“, thuhej në kërkesë.

Kjo seancë pritet të jetë e gjatë pasi është e nënta seancë radhazi që mbahet, pas shtyrjeve të njëpasnjëshme.

Seanca e kaluar u shty për shkak se avokatët nuk kishin bërë gati mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarit e tjerë.

SPAK, me anë të një reagimi publik më 5 dhjetor 2025, deklaroi se procesi gjyqësor është zvarritur për shkak të shtyrjes së tetë seancave, të cilat, sipas institucionit të drejtësisë, janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara të avokatëve mbrojtës dhe kërkesa të tyre të pabazuara.

Prokuroria e Posaçme theksonte se mbrojtësit e Veliajt kanë marrë kopjen e plotë të akteve hetimore që në datën 24 korrik 2025, fakt i dokumentuar me procesverbal. Po ashtu, në tetor 2025, avokati i zgjedhur ka kërkuar vetë një kopje të akteve shtesë, duke konfirmuar marrjen e materialeve të mëparshme.

Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.