Banorët e Rrjollit vijojnë sërish protestën e tyre kundër ndërtimit të resortit të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Ata i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen. Edhe në këtë protestë nuk ka munguar prania e forcave të policisë, ndërsa banorët kanë vijuar me akuzat se policia po mbron zaptuesit e tokave të tyre.
Luçjana Kokaj dhe avokati Ndue Pjetërqaj, në intervistat e dhëna për mediat, kanë shpjeguar situatën aktuale dhe kanë theksuar vendosmërinë e banorëve për të mos u tërhequr nga protesta
Luçjana Kokaj: Ardhja e njerëzve nga gjithë Shqipëria sot në Rrjoll, tregon që kjo është një plagë jo vetëm e Rrjollit. Rrjolli ka bërë një rezistencë mahnitëse për të mbrojtur të drejtën e vet, amanetin e të parëve. Aty po punohet me ritme të frikshme. Jemi në procedura nëpër gjykata, presim që prokuroria e Shkodrës të dalë me një vendim. Jemi të gatshëm që të vazhdojmë me ekspertiza ndërkombëtare se pronën tonë s’do të lejojmë askënd ta privatizojë. Do të vijmë të jemi këtu çdo ditë. Ndërkohë që Prokuroria ka 1 vit që nuk e mbyll hetimin, normal që të krijon dyshime. Nuk jemi kundër zhvillimit, por ne nuk mund ta lejojmë që dikush të punojë në tokën tonë dhe ne të na përjashtojë komplet.
Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga zona të tjera të vendit. Një zonjë nga Dukati i Vlorës ka ngritur shqetësimin për çështjen e pronësisë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një problem të përhapur në nivel kombëtar.
Gjatë protestës janë shënuar edhe përplasje të lehta me policinë. Disa banorë kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit.







