Vendet evropiane janë të gatshme të dërgojnë 10 deri në 15 mijë trupa në Ukrainë në gjashtë muajt e parë pas një armëpushimi të mundshëm me Rusinë, si pjesë e garancive të sigurisë për Kievin.
Lajmi raportohet nga Die Welt, duke cituar burime diplomatike në Bruksel.
Sipas informacioneve nga qarqe diplomatike evropiane, plani synon monitorimin dhe garantimin e zbatimit të armëpushimit mes Rusisë dhe Ukrainës, në rast se palët arrijnë një marrëveshje për ndalimin e luftimeve.
Burimet bëjnë me dije se planet e sigurisë janë tashmë të përgatitura, kryesisht nga ekspertë ushtarakë të Forcave të Armatosura Britanike dhe Franceze, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet në Bruksel.
Këto plane parashikojnë një prani tokësore të kufizuar, por të strukturuar, në fazën fillestare pas përfundimit të armiqësive.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë identifikuar si aktorët kryesorë të këtij misioni.
Sipas burimeve diplomatike, të dyja vendet janë të gatshme të marrin përsipër monitorimin e armëpushimit edhe pa një mandat formal nga Kombet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, mjaft që të ketë një ftesë zyrtare nga autoritetet ukrainase.
Ndërkohë, mbikëqyrja nga ajri dhe nga deti pritet të realizohet nga shtetet fqinje të Ukrainës, të cilat do të luajnë rol mbështetës në arkitekturën e sigurisë.
Në këtë kontekst, Turqia përmendet si një aktor kyç për monitorimin e rajonit të Detit të Zi.







