Ballina Opinion Rama dhe “karta e Kinës”, shantazh ndaj SHBA nga frika e dosjeve...

Rama dhe “karta e Kinës”, shantazh ndaj SHBA nga frika e dosjeve që ka në SPAK

56
0

Nga Gentian Gaba

Një nga arsyet pse SHBA e konsiderojnë korrupsionin në Shqipëri si kërcënim edhe për sigurinë e tyre kombëtare lidhet pikërisht me mënyrën se si sillet një kryeministër që ka “halle” me drejtësinë. Pra kur ndihet i rrezikuar, ai nuk mendon më si udhëheqës i një vendi aleat, por si njeri që kërkon rrugë shpëtimi personale. Këtë e pamë qartë në një skenë ku “hallexhiu” i SPAK-ut, përballë një investitori amerikan dhe të ngarkuarës me punë të SHBA-së, vendosi të përmendë Kinën si alternativë strategjike, duke e shoqëruar edhe me insinuatën se Shqipëria qenka “pika e mjaltit” për interesin kinez në Europë. Kjo nuk është thjesht një fjali e hedhur, por është një sinjal politik. Dhe sinjali është i rrezikshëm, sepse del si një kërcënim aspak i heshtur përmes të cilit u thotë: “nëse nuk më mbani ju, unë kam edhe të tjerë”.

Po të mos ishte me ujë deri në grykë, nuk do ta rrokte publikisht këtë ide, sidomos jo në kontekstin e një investimi amerikan. Sepse një lider i sigurt në integritetin e vet nuk luan me karta gjeopolitike për të bërë presion mbi partnerët; ai flet me gjuhën e besimit, të standardeve, të institucioneve. Kur përmend Kinën si “alternativë” në sy të përfaqësuesve amerikanë, ai në fakt shfaq ankthin e një pushteti që po e ndjen tokën të lëvizë nën këmbë nga dosjet e korrupsionit, arrestimet e zyrtarëve të lartë, tronditjet e brendshme, presioni i SPAK-ut. Kjo është arsyeja pse “karta e Kinës” del si instinkt mbijetese, jo si strategji shtetërore.

Prandaj SHBA nuk e sheh korrupsionin vetëm si problem moral apo ekonomik, por si problem sigurie. Sepse korrupsioni krijon varësi. Varësia krijon shantazh. Shantazhi krijon dritare për ndikim malinj. Dhe ndikimi malinj, në një vend aleat nuk është thjesht çështje shqiptare; është çështje e arkitekturës së sigurisë perëndimore. Për këtë arsye politikanët që kanë halle me drejtësinë shpesh shtrëngohen dhe sanksionohen, jo se SHBA ka pasion të dënojë individë, por sepse e di se njerëzit që mabjnë veten mbi ligjin janë të prirë të bëjnë kompromise me interesin kombëtar, vetëm të shpëtojnë kokën e tyre.

Kësodore, lind rreziku i pellgjeve autokratike, kur një pushtet ndihet i kërcënuar nga drejtësia dhe nga transparenca. Dhe për Ramën, Kina (apo çdo fuqi tjetër autokratike) prezantohet si “alternativë”, jo sepse është më e mirë për Shqipërinë, por sepse është më komode për një pushtet që ka frikë nga standardet perëndimore.

Sidoqoftë, Rama e ka fantazi këtë, sepse e di mirë që SHBA nuk ka nevojë të lëvizë asnjë batalion për ta “paketuar” politikisht. Mjafton një cicërimë, një deklaratë, një vendim sanksioni, dhe pushtetit që ka mbajtur me dhunën e korrupsionit dhe me penetrimin e krimit të organizuar, nis të bjerë. Problemi është çfarë fshihet pas saj, një mentalitet i kapjes së shtetit, ku pushteti e përdor gjeopolitikën si perde për të mbuluar dosjet. Një kryeministër i ulur mbi majën e dosjeve të korrupsionit nuk mund të drejtojë vendin me qartësi strategjike, sepse çdo vendim e lexon me syrin e ankthit të mbijetesës personale.

Dhe kjo është pikërisht ajo që SHBA e sheh si kërcënim sigurie, jo thjesht vjedhja e parave publike, por kapja e shtetit nga frika, shantazhi dhe mundësia që një njeri i kërcënuar të kthejë interesin e shqiptarëve në monedhë për të shpëtuar veten.