Ballina Politika Rama u ul në gjunjë, por Luksemburgu bllokoi integrimin/ Ja pse u...

Rama u ul në gjunjë, por Luksemburgu bllokoi integrimin/ Ja pse u revoltua ky shtet i vogël pas 35 vitesh

163
0

Para rreth katër vitesh, Edi Rama iu ul në gjunjë kryeministrit të Luksemburgut, Xavier Bettel, ndërsa organizonte një samit mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Katër vite më vonë, ky shtet i vogël iu është bashkuar tetë shteteve të tjera të BE duke mos miratuar raportin IBAR, ccka ka bllokuar realisht negociatat me Shqipërinë.

Vendimi erdhi pasi Edi Rama vendosi të mbrojë veten dhe Belinda Ballukun nga hetimet.

Por pse i është bashkuar edhe Luksemburgu këtyre vendeve? Diplomati Jorgji Kote në një analizë për gazetën Panorama, shpjegon se ndryshe nga sa mendohet, Luksemburgu është shtet i rëndësishëm për BE-në dhe mbarë Europën.

“Tani, vërtet që nisur nga sipërfaqja gjeografike me vetëm 2856 km katrore dhe me 700.000 banorë, Dukati i Madh është mikroshtet, por ama me emër, famë dhe autoritet shumë më të madh, falë traditave dhe historisë së tij luftarake, përpjekjeve për paqe dhe demokraci dhe në 80 vitet e fundit për ndihmesën e jashtëzakonshme në proceset Euro-Atlantike dhe më gjerë. Rikujtojmë se liderët e tij bashkë me ata të Belgjikës dhe Holandës krijuan qysh në vitin 1944 në egzil në Londër BENELUX, laboratorin, inkubatorin dhe bërthamën e BE-së së ardhshme, i cili vazhdon të funksionojë edhe sot e kësaj dite. Duke u bërë model edhe për disa grupime të tjera të ngjashme pas viteve 90 që ndihmuan vende të tjera dhe ato ish lindore në përshpejtimin e anëtarësimit në BE, si Nisma e Europës Qendrore (NEQ), Këshilli Balltik, etj. Sa për “Ballkan i Hapur” që lindi i vdekur, ndryshe nga pretendimet, ai nuk kishte asnjë lidhje me Benelux, as në germa dhe as në frymë!

Më tej, në vitin 1945 Luksemburgu u bë bashkëthemelues i OKB-së, pastaj i NATO-s më 1949 dhe i BE-së më 1958. Madje, qyteti i Luksemburgut është kryeqyteti i tretë europian pas Brukselit dhe Strasburgut. Aty janë selia e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Bankës Europiane të Investimeve dhe zyra të Parlamentit Europian. Por ka edhe më; në vitin 1985, atje në fshatin e vogël Shengen, në kufi me Francën dhe Gjermaninë, Luksemburgu mikpriti Samitin e madh, që me zgjerimin e tij u kthye në histori suksesi me zonën emblematike të katër lirive të mëdha europiane. Këtu, edhe për ne shqiptarët është e rëndësishme të theksohet se Luksemburgu ka krijuar traditën historike për të qenë përherë pranë dhe në mbështetje të vendeve të tjera të vogla. Ndërmjet shumë masave dhe veprimtarive, atje zhvillohen periodikisht forume dhe samite të 10 vendeve më të vogla nga ana gjeografike, ku ka qenë edhe vendi ynë. Ai ka mbajtur anën e tyre në të gjitha situatat, duke i ndihmuar në shumë forma duke mos i penguar në asnjë rast, ca më pak publikisht, duke i nxitur dhe inkurajuar në proceset e tyre Euro-Atlantike.

Një konstante e përhershme e këtij vendi me vokacion të theksuar Euro-Atlantik. Madje, edhe samitet BE-Ballkani Perëndimor që tani janë kthyer në rutinë, e kanë zanafillën pikërisht te Luksemburgu, i cili mikpriti Samitin e parë me rajonin tonë gjatë presidencës së tij të 12 -të të BE-së më 1 korrik–31 janar 2014 bashkë me takime të ministrave të Jashtëm, të Drejtësisë, zyrtarëve të tyre të lartë, etj.. Këtë mbështetje Dukati i Madh nuk e ka dhënë vetëm me deklarata dhe letra, por edhe në terren, në procese madhore dhe historike për vendet e rajonit dhe në veçanti për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar edhe me trupa ushtarake në kuadrin e KFOR-it. Në vitin 2014, Duka i Madh Henry shkoi edhe vetë për vizitë në Prishtinë. Luksemburgu është ndër të parët që ka mbështetur pa rezerva proceset tona reformuese demokratike, anëtarësimin në OSBE, KiE, në NATO dhe në BE në të gjitha fazat e saj. Ai na është ndodhur pranë me ndihma humanitare, materiale dhe me avionë në raste përmbytjesh dhe tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ndërkohë, Dukati i Madh ka treguar kujdes dhe bujari me komunitetin e vogël por cilësor shqiptar atje,” shkruan ai.

“Atëherë, si shpjegohet ky qëndrim i tanishëm i Luksemburgut? Fare e thjeshtë, ne nuk e kemi mbajtur fjalën dhe premtimin që u kemi dhënë sa e sa herë, ndaj edhe atyre u “ka ardhur vërtet në majë të hundës”, sepse e “kemi mbushur dhe po e derdhim kupën” e durimit të tyre me mungesa, vonesa dhe pengesa për të cilat nuk na i ka fajet njeri. Sepse partnerët tanë luksemburgas, por jo vetëm ata, vërtet që deri tani në raste të caktuara e “kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh” ndaj nesh; mirëpo, kur vjen puna te shteti i të drejtës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, ai nuk të fal. Veç kësaj, miqtë luksemburgas e kanë mbajtur fjalën dhe nuk na kanë i kanë nxjerrë problemet tona në publik, por kjo nuk do të thotë që ne të vazhdojmë “pushka bam dhe Muçua tutje” duke abuzuar me besimin dhe durimin e tyre. Dhe prapë ata e kanë shprehur kundërshtimin e tyre pa zhurmë vetëm në forumet e duhura, me qëllim që siç thuhet nga anët tona “t’i bien pragut që të dëgjojë porta”.

…Ja pse, kur ndaj nesh “rebelon” qoftë edhe një vend i vogël gjeografisht, por jo diplomatikisht si Luksemburgu, kjo duhet të jetë vërtet kambanë e madhe alarmi!

…Sa për çështjen problematike të ishzv.kryeministres, ajo është vetëm maja, kulmi dhe simboli i prekshëm i mungesës së vullnetit qeveritar për të luftuar pandëshkueshmërinë, diçka e patolerueshme për standardet e BE-së, sidomos ndaj vendeve aspirante. Por duam apo nuk duam, aty qeveria është kapur “mat”!” thekson diplomati.