Ballina Aktualitet Bllokime qarkullimi në Tiranë, rrugët që bllokohen nga protesta e nesërme e...

Bllokime qarkullimi në Tiranë, rrugët që bllokohen nga protesta e nesërme e opozitës

95
0

Tirana do të përballet me kufizime të konsiderueshme të qarkullimit në orët në vijim, për shkak të protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, e cila do të zhvillohet më 17 prill përpara Kryeministrisë.

Policia e Shtetit ka njoftuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit, duke paralajmëruar bllokime në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Bllokimet nisin që nga mbrëmja e sotme. Duke filluar nga ora 23:45 e datës 16 prill, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, kufizim që do të vijojë deri në përfundim të protestës.

Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme, masat do të intensifikohen. Nga ora 15:00 e datës 17 prill, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të aplikohen gjithashtu edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar, tubimi është planifikuar të zhvillohet nga ora 19:00 deri në 22:00, në përputhje me ligjin “Për tubimet”, ndërsa autoritetet theksojnë se masat janë marrë për të garantuar sigurinë publike dhe zhvillimin normal të aktivitetit.

Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve të respektojnë oraret dhe hapësirën e përcaktuar për protestën, ndërsa qytetarëve u kërkon mirëkuptim për kufizimet e përkohshme në qarkullim.

Gjithashtu, autoritetet apelojnë për shmangien e çdo akti të kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë zhvillimit të tubimit.