Ballina Aktualitet Dosja AKSHI: kërcënime, shantazh dhe pengmarrje biznesmenësh – dëshmia e Migena Shroeder...

Dosja AKSHI: kërcënime, shantazh dhe pengmarrje biznesmenësh – dëshmia e Migena Shroeder që flet për 2.5 milionë të marra nën presion

94
0

Migena Schroeder, është një nga dëshmitarët kyç të SPAK për të zbardhur veprimtarinë e grupit kriminal që vepronte brenda AKSHI-t, grup që drejtohet nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët kryesojnë listën e të shumëkërkuarve të drejtësisë shqiptare.

VNA raportoi pak ditë më parë se zonja Schroeder ka qenë para prokurorëve të posaçëm për një nga çështjet më të nxehta të kohëve të fundit: dosjen e AKSHI-t. Në dëshminë e dhënë para SPAK, Migena Schroeder ka treguar ndër të tjera episodin se si për procedurën e prokurimit SmartLab2, (ku Ermal Beqiri nuk rezultonte fitues qoftë edhe me kompanitë e drejtuara apo përfaqësuara nga ai) në momentin kur nuk po dakordësohej me E.J dhe me kompaninë fituese A, drejtoresha e AKSHI-t në atë kohë Mirlinda Karçanaj i shkruan dhe i kërkon zonjës Schroeder që të takojë Ermal Beqirin për t’u sqaruar në Rogner.

Por nga takimi me Beqirin i bëhet me dije Migena Schroeder se ka hyrë në një “pishinë peshkaqenësh”, paralajmërim dhe kërcënim ky që do të finalizohej më vonë me kërcënimin e radhës nga një person i afërt, i cili, sipas saj, i ka treguar zonjës Schroeder se duhet të bëjë kujdes me AKSHI, pasi ka dëgjuar në tavolina fjalë jo të mira dhe se ato janë “kokëshkretë””, thuhet ndër të tjera në dosje.

Në deklarimet e saj, Schroeder thotë se ka qenë pikërisht kjo klimë e rëndë trysnie psikologjike e shkaktuar nga këto kërcënime që e kanë detyruar atë të realizojë fiktivisht marrjen e shumës 2.530.000 Euro në llogarinë bankare të shoqërisë së saj nga Albasena sh.p.k., prej fondeve të Buxhetit të Shtetit përmes AKSHI, dhe kalimin e kësaj shume tek llogaria bankare e shoqërisë EA Solution sh.p.k., (në pronësi të Ergys Agasit) edhe pse ndërmjet tyre nuk kishte asnjë marrëdhënie juridike reale apo edhe pse praktikisht dhe faktikisht nuk kishte asnjë shkak ligjor për të bërë këtë pagesë. Çka të çon në përfundimin se dorëzimi i kësaj shume të madhe nuk është gjë tjetër veç gjobëdhënie për shkak të presionit dhe shantazhit.

Nisur nga kjo dëshmi, në vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që caktoi masat e sigurisë ndaj të dyshuarve, përfshirë dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, theksohet se “rezulton se provat njoftojnë rastin e presionit dhe kërcënimeve të bëra ndaj Znj. Migena Schroeder. Edhe në këtë rast, sipas këtyre deklarimeve, është përdorur dhuna psikologjike, përmes kërcënimeve, që të detyrohet subjekti operator ekonomik të veprojë sipas qëllimeve dhe kërkesave të dhunuesve të dyshuar”.

Nga hetimet rezulton se nuk është vetëm biznesmeni Gerond Meçe që u rrëmbye dhe nën presion u detyrua të tërhiqej nga tenderat, por edhe të tjerë biznesmenë janë shantazhuar dhe vënë nën presion për shkak të tenderave të AKSHI-t dhe nga grupi kriminal nuk janë përdorur vetëm zyrtarë shtetërorë për të kryer shantazhet, por edhe “të fortët”. Këta të fundit në bashkëpunim të pastër dhe të qartë me drejtuesit e AKSHI-t kanë shantazhuar firma të ndryshme deri në pengmarrje biznesesh që kishin lidhje financiare me AKSHI-n duke u sjellë si një bandë me pushtet që nuk mjaftohej vetëm me milionat e tenderave shtetërore por fuste duart edhe tek bizneset private që operonin në të njëjtën fushë.