Ballina Aktualitet Zjarri te pallati i ‘Arlis’/ Banorët nënshkruajnë peticionin me 10 kërkesa urgjente...

Zjarri te pallati i ‘Arlis’/ Banorët nënshkruajnë peticionin me 10 kërkesa urgjente për sigurinë e kompleksit

80
0

Banorët e kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10, kanë nënshkruar një peticion pas zjarrit që përfshiu të martën njërin prej pallateve. Ata paraqesin kërkesa të lidhura me sigurinë e ambienteve të banimit duke kërkuar zhdëmtim të banorëve e bizneseve të dëmtuar, përgjegjësi ligjore e administrative dhe transparencë.

“Përshëndetje banorë të kompleksit Arlis! Mendoj se kërkesat tona të përmbledhura, janë si më poshtë:

1. Ekspertizë e pavarur dhe e detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë.
2. Zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.
3. Audit i plotë i sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë: sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes së zjarrit, rrugët e evakuimit.
4. Transparencë nga kompania ndërtuese, mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
5. Përgjegjësi ligjore dhe administrative, nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, për mos certifikimin e impianteve elektrike, etj.
6. Zhdëmtimi i të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
7. Kontratat e porosisë të formalizohen pranë noterit.
8. Apartamentet të rikthehen në gjendjen e mëparshme, sipas përmbajtjes së kontratës.
9. Të sigurohet strehimi dhe të mbulohen shpenzimet e qirasë për banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar/djegur.
10. Kompleksi të pajiset me hidrantë dhe fikse zjarri funksionale, pasi aktualisht kanë qenë jashtë funksionit.
Në vijim kërkohet që të zbatohen normat e sigurisë europiane për instalimet, kontrollet e detyrueshme, tokëzimet etj.

“Normat e Sigurisë Europiane EN, duhen përdorur tek ne si në çdo vend europian, psh: detyrimi i kontrollit të instalimeve, ujë, energji elektrike, gas, ashensor etj:

1. Për gjithë instalimet e kryera, duhen certifikata sigurie dhe garancie sipas standardeve evropiane.
2. Duhet me të vërtetë një projektligj, që pas e shumta 20 vitesh të kryhet kontroll i detyrueshëm i gjendjes së gjithë instalimeve të kryera.
3. Salvavita e detyrueshme për gjithë instalimet elektrike qendrore dhe në çdo banesë.
4. Matja e tokëzimit, i cili është pjesa më e rëndësishme e të gjithë instalimeve elektrike.”