Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të diele në autostradën Rrogozhinë–Lushnjë, në afërsi të fshatit Konjat, pranë Lushnjë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, tre automjete janë përplasur mes tyre, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë një manovër e gabuar parakalimi nga një prej mjeteve të përfshira.
Nga përplasja, dy mjete kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një automjet tip “Skoda” ka përfunduar i përplasur dhe i ngulur në barrierën metalike anësore, nga krahu i drejtuesit.
Si pasojë, drejtuesi i mjetit ka mbetur i bllokuar brenda automjetit. Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e policisë rrugore, të cilat kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikësve të Lushnjës. Pas mbërritjes, efektivët kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij nga mjeti me mjete prerëse.
I plagosuri, rreth 30 vjeç, është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjë, ku sipas burimeve mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka pësuar disa thyerje në trup.
Në ndihmë të operacionit kanë ardhur edhe kalimtarë të rastit, të cilët kanë kontribuar në largimin e mjetit nga barriera, duke ndihmuar në shpëtimin e drejtuesit.
Policia rrugore vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e ngjarjes.







