Kalaja e Borshit ne Himarë po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të rëndësishme restaurimi që do t’i japë jetë të re këtij monumenti historik, duke ruajtur historinë dhe duke përmirësuar përvojën e vizitorëve. Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja njofton se projekti i ndërhyrjes, parashikon konservimin dhe stabilizimin e strukturave, restaurimin e xhamisë brenda kalasë, si edhe krijimin e elementëve të rinj arkitektonikë, paneleve interpretuese, platformës së vëzhgimit dhe ndriçimit artistik.
Sipas tij, pas përfundimit të punimeve, Kalaja e Borshit do të hapet si sit i ri muzeal me biletë hyrëse, duke u kthyer për herë të parë në një destinacion të mirëstrukturuar për vizitorët.
E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës.
Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe të madhe, dhe brenda saj gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami e periudhës osmane.
Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, duke e bërë atë një vend tërheqës për vizitorët që duan të ndërthurin natyrën me historinë.
Kjo kala, kohë më parë njihej me emrin Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi i Komneni. Kurse në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, e cila sot është edhe një arsye më shumë për ta vizituar këtë monument kaq të rëndësishëm.







