Gjatë diskutimit në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet për projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA)”, kryetari i komisionit, Luciano Boçi, ka ngritur një sërë shqetësimesh të forta, duke e cilësuar nismën si në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet e Bashkimit Europian.
Në praninë e ministres Mirela Kumbaro, Boçi akuzoi për konflikt interesi në hartimin e projektligjit, duke theksuar lidhjet institucionale të ministres me një fondacion që, sipas tij, përfshihet në strukturat vendimmarrëse të agjencisë së re.
“Ligji shqiptar për konfliktin e interesit është i qartë: konflikti nuk është vetëm personal apo familjar, por edhe institucional. Nuk mund të ndodhë që një fondacion me lidhje të tilla të ketë përfaqësim kyç në një bord ku merren vendimet kryesore,” u shpreh Boçi.
Ai theksoi se projektligji cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë institucionale, duke përqendruar të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes tek ministri. Sipas tij, kjo bie ndesh me standardet e BE-së, të cilat kërkojnë që agjencitë që administrojnë provime, vlerësime dhe njohje diplomash të drejtohen nga borde të pavarura, të zgjedhura nga komuniteti akademik.
“Projektligji parashikon që drejtuesit, bordi dhe vendimet kyçe të kontrollohen nga ministri. Kjo është e kundërta e standardit europian,” theksoi ai.
Në vijim, Boçi ngriti shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies. Ai argumentoi se, ndryshe nga praktikat e BE-së ku raportet janë publike dhe të audituara në mënyrë të pavarur, projektligji parashikon që raportimi të bëhet vetëm tek ministri, ndërsa auditimi të kryhet nga vetë ministria.
Një tjetër pikë kritike ishte administrimi i të dhënave arsimore. Sipas Boçit, projektligji i jep AKSHA-s dhe ministrisë kontroll të plotë mbi të dhëna sensitive, në kundërshtim me ndarjen e funksioneve të parashikuar nga ligji dhe standardet europiane.
Ai kritikoi gjithashtu përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje, duke e cilësuar këtë si një devijim serioz nga praktikat e BE-së, si dhe konceptin e vetëfinancimit të institucionit, që sipas tij bie ndesh me parimin që këto agjenci nuk duhet të funksionojnë si struktura fitimprurëse.
Në përfundim, Boçi paralajmëroi se projektligji, në formën aktuale, rrezikon të kthejë një institucion kyç të arsimit në një instrument të kontrolluar politikisht, duke minuar besimin dhe standardet në sistemin arsimor.







