Te marrësh punëtorë nga jashtë nuk është e lehtë, madje po rezulton si një proces me kosto. Nga pajisja me vizë dhe aplikimi për leje pune, te transporti dhe akomodimi, një biznes duhet të paguajë rreth 850 euro për marrjen e një punonjësi të huaj nga jashtë. Veç shpenzimeve të dukshme, marrja e punonjësve të huaj shoqërohet shpesh me kosto të mëdha në kohë.
“Në vendet ku ne aplikojmë për marrjen e punëtorëve, Shqipëria nuk ka ambasadë. Ndaj ne duhet t’u referohemi vendeve fqinje apo më larg. Për të marrë vajza nga Filipinet, ne duhet t’i referohemi ambasadës në Romë”, tha Florjan Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.
Përpjekjet e dëshpëruara të kompanive për të përballuar kostot e emigracionit shoqërohen edhe me rreziqe të tjera. Një pjesë e mirë e punonjësve të huaj, shpesh edhe pa mbushur një muaj pune në Shqipëri, largohen drejt Perëndimit. Rreziqet e tjera lidhen me produktivitetin, refuzimin e lejes së punës apo kërkesat e punonjësve të huaj për paga më të larta se ata vendas.
“Po të marrim punëtorët me kombësi nga Bangladeshi, mund të them se ka qenë një dështim total. Mund të them me siguri të plotë se të gjithë ata nga Bangladeshi që kanë ardhur, janë larguar më pas jashtë”, tha , tha Florjan Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numri i të huajve që pajisen me leje pune po rritet nga viti në vit. Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në industrinë përpunuese, ndërtim, bujqësi, peshkim, tregti apo informacion dhe komunikim.







