Ballina Opinion Dhurata e radhës: Ne paguajmë faturat, Ujësjellësi i rregullon shkarkimet Marinës së...

Dhurata e radhës: Ne paguajmë faturat, Ujësjellësi i rregullon shkarkimet Marinës së Alabbarit

136
0

Nga Klevis Elezi

Ndërsa banorët e lagjes 18 në Durrës po trajnohen privatisht për t’u bërë peshkatarë sa herë bie shi e përmbyten rrugët, Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) ka vendosur të tregojë se është një institucion me “shije aristokrate”.

Me një tender “rrufe” prej rreth 300 mijë eurosh (28.8 milionë lekë pa TVSH), UKD ka marrë përsipër detyrën fisnike për t’i shtruar tubacionet e ujit dhe kanalizimet deri në prag të derës investitorit nga Emiratet, Mohamed Alabbar.

Sipas dokumenteve të siguruara, shteti shqiptar nuk mjaftohet duke i falur truallin e portit projektit “Durrës Yachts & Marina”, por tani po i shërben edhe si hidraulik privat. Ndërsa 1/3 e qytetit të Durrësit vazhdon të ketë një marrëdhënie platonike me ujin e pijshëm (e sheh por nuk e prek), UKD po nxiton të hapë kanale e të vendosë tuba që 20,000 banorët e parë të lagjes së luksit të mos kenë asnjë shqetësim ekzistencial kur të shkarkojnë tualetin.

Tenderi i firmosur nga Olsen Kavalli parashikon që rrjeti inxhinierik të jetë gati brenda 3 muajve. Ky afat është mbresëlënës, po të kesh parasysh se për riparimin e një tubi të thyer në qendër të qytetit duhen zakonisht dy mandate qeverisëse dhe një rreshtim planetar i favorshëm.

Detaje nga dokumentet:

Popullim gradual: Projekti parashikon deri në 66,000 banorë në fazën e dytë. UKD është zotuar t’u shërbejë të gjithëve, ndërsa lagjet ekzistuese të Durrësit po presin ende që uji të ngjitet në katin e tretë pa ndihmën e pompave që zhurmojnë si avionë luftarakë.

Gatishmëria: Janë kryer disa vizita në terren për të vlerësuar pikat e lidhjes. Duket se inxhinierët kanë gjetur kohë të vizitojnë “fushën e luksit”, por nuk kanë gjetur akoma rrugën për te pusetat që shpërthejnë te ish-Këneta.