Nga Auron Tare
Si sot, 85 vjet më parë, Ushtria Kombëtare Greke, e cila kishte rezistuar në mënyrë heroike për mbi 6 muaj kundër armatave italiane, ngriti flamurin e bardhë.
Armata e Epirit, e komanduar nga gjenerali Georgios Tsolakoglou, duke parë që trupat gjermane, me një lëvizje të pazakontë për kohën, sulmuan Jugosllavinë më 6 prill dhe, pasi e thyen ushtrinë jugosllave, i dolën nga mbrapa ushtrisë greke, u gjend në një gjendje të dëshpëruar. Vetëm dy javë mjaftuan që gjermanët të hynin në territorin grek. Grekët shpresonin që me ardhjen e pranverës të thyenin frontin italian, që ishte stabilizuar pak a shumë në vijën kufitare greko-shqiptare.
Në shtabin e gjeneralit Tsolakoglou, në fshatin vllah Votonosi pranë Mecovës, bëhej një debat i fortë mes oficerëve: disa donin dorëzim, të tjerë këmbëngulnin të vazhdohej lufta. Në veçanti, gjenerali Ioannis Pitsikas kërkonte me këmbëngulje përballje edhe me gjermanët, por ishte në pakicë. Madje, Tsolakoglou vendosi ta largonte nga detyra, me arsyetimin se dorëzimi te gjermanët do të ishte “më me nder”.
Gjenerali grek, për të shpëtuar trupat nga një shkatërrim i plotë, mori parasysh që në front kishte hyrë një nga divizionet më elitare të ushtrisë gjermane, Leibstandarte SS Adolf Hitler. Ky divizion, përveçse forcë luftarake, kishte edhe rol propagandistik për të treguar fuqinë e Gjermanisë. Në krye të tij ishte Sepp Dietrich, komandanti besnik i truprojës personale të Hitlerit.
Sipas ditarit të divizionit, më 20 prill 1941, njësia pararojë e drejtuar nga SS-Hauptsturmführer Erwin Horstmann po kalonte vargmalin Katara në drejtim të Janinës. Para Qafes se Malit, SS-Untersturmführer Jupp Diefenthal zbriti me shpejtësi me një motor tricikel, ku ndodhej një ushtar grek me flamur të bardhë. Ai njoftoi se grekët kërkonin të diskutonin kushtet e dorëzimit.
Menjëherë u thirr Gjenerali Dietrich për të bërë bisedimet.
SS-Untersturmführer Ralf Tiemann u dërgua në Hani-Murgani për ta shoqëruar, bashkë me SS-Hauptsturmführer Max Wünsche. Kur mbërritën, panë ushtarë nga të dyja palët që rrinin qetë, madje luanin letra, ndërsa një Flamur i madh Gjerman ishte vendosur mbi rrugë.
Dietrich u takua me oficerët grekë, të cilët i thanë që duhej të shkonte rreth 15 km më në perëndim, në Votonosi, ku ishte selia e Tsolakoglou. Sipas Tiemann-it, Wünsche u nis për të njoftuar feldmarshallin Wilhelm List, ndërsa Dietrich vazhdoi me shtabin e tij drejt selisë, ku u prit vetë nga Tsolakoglou.
Në këtë fshat të vogël u bë takimi vendimtar mes Tsolakoglou dhe Dietrich për dorëzimin. Sipas burimeve gjermane, pala greke kërkoi që dorëzimi të bëhej para gjermanëve dhe jo italianëve, që prisnin përtej Vjosës.
Pas konsultimeve me eprorët, përfshirë feldmarshallin Wilhelm List dhe gjeneral-lejtnantin Hans von Greiffenberg, Dietrich u autorizua të pranonte dorëzimin e plotë të ushtrisë greke.
Sipas burimeve gjermane, dorëzimi u bë në tre faza, takimi fillestar në Votonosi, nënshkrimi zyrtar po aty dhe përfundimisht në Larisa më 23 prill 1941.
Dorëzimi krijoi rrëmujë të madhe në radhët e ushtrisë greke. Ndërkohë që trupat gjermane përparonin drejt Korinthit dhe përplaseshin me anglezët në tërheqje, ushtarët grekë, të çorganizuar, hidhnin armët dhe “pasi kerkonin buke ne furrat e Janines, niseshin me kembe rruges për në shtëpitë e tyre.”
Pas kësaj, trupat italiane, që kishin pësuar humbje të rënda, më në fund hynë në territorin grek.
Një detaj interesant është udhëtimi i Gjeneralit Dietrich drejt kufirit shqiptar, në Urën e Peratit pranë Leskovikut, ku e priste shtabi italian me në krye gjeneralin Giovanni Rossi. Pas një takimi kortezie, ku u pi edhe një gotë verë, italianëve iu hap rruga për të hyrë në Greqi.
Ky moment u filmua nga kameramanët gjermanë dhe ruhet sot në arkivat amerikane në Washington DC, si një dëshmi me vlerë për Luftën Italo-Greke.
Me poshte fotot nga arkivi gjerman i luftes.







