Ballina Kronika Dosja e AKSHI: Hava Delibashi udhëzonte prokurimet për të favorizuar kompani të...

Dosja e AKSHI: Hava Delibashi udhëzonte prokurimet për të favorizuar kompani të lidhura me Ermal Beqirin

79
0

Pas shkarkimit të Daniel Shimës nga detyra e zv.drejtorit të AKSHI-t duket se “detyrën” për të përgatitur dokumentat që tenderat t’i fitonin kompanitë e Ermal Beqirit apo kompani të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, e merr Hava Delibashi. Fillimisht kjo e fundit ka pasur detyrë e drejtoreshës Juridike dhe më pas mori postin e Daniel Shimës si zv.drejtoreshë.

Kjo del nga këqyrja e telefonit të Emirton Sulit, një prej zyrtarëve të AKSHI-t, i cili ka pasur komunikime me Delibashin.

“Nga këqyrja e pjesshme e komunikimeve të këtij shtetasi kanë rezultuar biseda me interes për hetimin, midis këtij shtetasi dhe Hava Delibashit, e cila në periudhën e komunikimeve të këqyrura ka pasur detyrën e Drejtoreshës Juridike pranë AKSHI. Në kërkesën e prokurorisë dhe në vendimin e gjykatës së shkallës së parë pasqyrohen tre fotografi nga komunikimet telefonike, fotografuar nga ekrani, ndërmjet Emirton Suli dhe Hava Delibashi. Nga komunikimet e mësipërme rezulton se Hava Delibashi udhëzon Emirton Suli lidhur me detyrat e tij, në cilësinë e përgjegjësit të prokurimeve, urdhëra këto të dyshuara arsyeshëm se janë marrë dhe janë diktuar apo përcjellë prej saj nga titullarja e AKSHI, Znj. Mirlinda Karçanaj”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në një nga bisedat mes tyre – gjykata e Apelit të Posaçëm – thekson se krijohet dyshimi i arsyeshëm se këto urdhërime kanë të bëjnë me listën e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues, në bisedën e datës 28.02.2024, ora 07:37:04, e në vijim. “Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve evidentohen të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm dhe të bazuara në prova mbi fiktivitetin e garës në procedurën e prokurimit me objekt ‘Mirëmbajtja e sistemit ATP WEB Gis për Agjencinë e Trajtimit të Pronave’, për të cilën Z. Emirton Suli shprehet se OE i dyti në garë është shoqëria ‘Fastech’ sh.p.k., por se nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion. Nga verifikimet e kryera rezulton se procedura e mësipërme e prokurimit është fituar nga shoqëria Communication Progress sh.p.k. Gjithashtu risillet në vëmendje fakti se edhe ky subjekt tregtar është i lidhur me Ermal Beqiri, pasi ortaku i saj me 50% dhe njëkohësisht administratori është G. Likaj, bashkëjetuesi i motrës së Ermal Beqirit”.

Më tej thuhet se “në komunikimin e datës 12.03.2024 evidentohet me interes komunikimi mes Znj. Hava Delibashi dhe Z. Emirton Suli, konkretisht lidhur me disa operatorë ekonomikë të cilëve u dërgohet ftesë për ofertë, duke kërkuar zëvendësimin e subjektit ‘Intech +’ sh.p.k. me subjektin Soft & Solution sh.p.k., çka arsyeshëm nënkupton faktin se titullarët e autoritetit kontraktor kontrollojnë të gjithë procedurën e prokurimit, duke favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë, konkretisht shoqëritë e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri apo të lidhura me të, nga momenti i hartimit të kritereve të kualifikimit, studimi i tregut e deri tek momenti i shpalljes së tyre fitues. Aty Hava Delibashi shprehet ndër të tjera se në vend të një operatori ekonomik të renditur në listë (Intech+) të vendosej Soft & Solution dhe të ecet përpara, duke shkruar shkurtimin ‘pls’ të fjalës në gjuhën angleze ‘të lutem’”.

SPAK thotë se goditi një grup kriminal që vepronte brenda AKSHI-t dhe shpalli në kërkim Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e AKSHI-t, u vendos në arrest shtëpie, ndërsa për të dyshuarit e tjerë, përfshirë edhe zyrtarë policie, janë caktuar masa më të lehta.