Ish-basketbollistët dhe ish-bashkëlojtarët te Los Angeles Lakers, Michael Beasley dhe Lance Stephenson, provuan veten në një meç amator MMA, i cili përfundoi me një fitore befasuese të Stephensonit. Ai në rundin e parë, me një kapje “mbytëse”, e detyroi Beasleyn dukshëm më të gjatë të dorëzohej.
Meçi i tyre, i zhvilluar në kuadër të eventit të organizuar nga Brand Risk Promotions, u ndoq nga afër në Las Vegas edhe nga presidenti i UFC-së, Dana Ëhite.
Me këtë fitore, Lance Stephenson mori hak për humbjen e fundit ndaj Beasleyt në një ndeshje basketbolli një kundër një, ku Beasley, i gjatë 206 centimetra, kishte fituar 300 mijë dollarë.
Megjithatë, raportet e forcës ishin ndryshe.
Tek të dy shihej qartë se kishin vetëm disa ditë stërvitje, ndërsa pas një shkëmbimi të shkurtër goditjesh, lufta kaloi në tokë në mënyrë jo shumë të kontrolluar.
Pasi u lodh duke tentuar kapjen, Stephenson mori kontrollin, e rrëzoi rivalin dhe fitoi pozitën dominuese sipër.
Pas përfundimit të përballjes nuk pati tensione, ish-bashkëlojtarët u përqafuan miqësisht.
Si Stephenson ashtu edhe Beasley kanë pasur karrierë të pasur në NBA dhe gjatë viteve si lojtarë shpesh tërhiqnin vëmendje me sjelljet e tyre të pazakonta dhe incidentet jashtë parketit.
Beasley, nga viti 2008 deri më 2019, zhvilloi 609 ndeshje në NBA me mesatare prej 12.4 pikësh për ndeshje, ndërsa Stephenson luajti nga 2010 deri më 2022, duke regjistruar 554 paraqitje me mesatare prej 8.6 pikësh për ndeshje.







