Ballina Ekonomia Zhdoganimi i makinave të përdorura sjell 97 milionë euro

Zhdoganimi i makinave të përdorura sjell 97 milionë euro

76
0

Të ardhurat doganore nga importi i automjeteve të përdorura kanë arritur në rreth 9.7 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar, ose rreth 97 milionë euro, duke konfirmuar peshën e këtij sektori në të ardhurat buxhetore si dhe kërkesën e lartë për automjete që vijnë nga jashtë, ku tashmë si vend origjine dominon Korea e Jugut.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregojnë gjithashtu se në muajt e parë të vitit evidentohet një ecuri në rritje, ku në janar të ardhurat arritën në 8 milionë euro, ndërsa në shkurt u arritën në 9 milionë euro.

Paralelisht me rritjen e të ardhurave, administrata doganore bën me dije edhe detyrimet dhe rregullat që duhet të ndjekin qytetarët gjatë importit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Në lidhje me procedurat e zhdoganimit, individët duhet të regjistrojnë ID-në personale në sistemin ASYCUDA World, proces që kryhet pranë administratës doganore duke paraqitur kartën e identitetit. Ndërkohë, automjetet me targa të huaja mund të përdoren përkohësisht në Shqipëri deri në 6 muaj brenda një periudhe 12-mujore, por pa të drejtë përdorimi për qëllime tregtare apo ndryshim pronësie gjatë kësaj kohe.

Sipas udhëzimeve, detyrimi kryesor mbetet pagesa e TVSH-së mbi vlerën doganore të automjetit, e cila përfshin çmimin e blerjes dhe kostot përkatëse.

Autoritetet nënvizojnë se respektimi i afateve dhe procedurave është i detyrueshëm, ndërsa shkeljet mund të ndëshkohen me penalitete financiare deri në 75% të detyrimeve të papaguara.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor,  gjatë viti 2026 janë importuar 84.204 automjete, të regjistruara për herë të parë në Shqipëri, ku mbi 21 mijë janë nga Korea e Jugut, ndjekur nga Gjermania, Italia dhe Kina.  Ndërsa në dy muajt e parë të vitit janë 14.201 automjete të regjistruara për herë të parë.

Zhvillimet tregojnë një kombinim mes rritjes së të ardhurave dhe forcimit të kontrollit administrativ, duke synuar formalizimin e tregut dhe rritjen e disiplinës fiskale në sektorin e automjeteve të përdorura.