Ballina Opinion Dështimi i turpshëm i radhës!

Dështimi i turpshëm i radhës!

67
0

Nga Dritan Demiraj

Takimi i fundit në Athinë mes Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis nuk ishte as sukses, nuk ishte as diplomaci, as partneritet strategjik por një episod i radhës i një politike të nënshtruar, të dështuar dhe të rrezikshme për interesat kombëtare shqiptare dhe të ardhmen e Kombit Shqiptar.

Ndërsa propaganda qeveritare e Rilindjes flet për “aleancë strategjike” me Greqinë, realiteti është krejt ndryshe. Athina vazhdon të mbajë si ‘kobure’ në kokën e Shqipërisë në fuqi ligjin absurd të luftës që nga viti 1940.
Për të gjithë ju që këtë e konsideroni sjellje të një vendi aleat, po ju them haptazi dhe pa akuivok se ky ligj është përdorur dhe vazhdon të përdoret sa herë që Shqipëria ka nevojë për mbështetjen greke të anëtarësimit në BE si më parë në rastin e anëtarësimit në NATO, si një presion të papranueshëm politik dhe historik.

Ironia më e madhe e këtij takimi që shfaqet si një cirk dhe një farsë diplomatike është prezenca e Ferit Hoxhës, i njëjti person të cilin KM me brekushe Rama në vitin 2009 e quante simbolin e një marrëveshje tradhtare, ndërkohë që ai sot është vegël e të njëjtit skenar të turpshëm diplomatik.

Kjo nuk është politikë, është hipokrizi e pastër dhe mashtrim i turpshëm publik.
Kjo vërteton atë që kemi shumë vite që jua faktojnë Shqiptarëve, se ky KM prej vitesh punon vetëm për interesat e tij personale dhe jo për interesin kombëtar.

Ndërkohë që shqiptarët mashtrohen çdo ditë me reforma dhe integrime hipotetike, vazhdon t’ju shitet nafta më e shtrenjtë në rajon, ndërkohë që në prapaskenë zhvillohen pazare të errëta për territorin e pasur me gaz dhe me naftë në Detin Jon. Ky është një kapitullim i heshtur i sovranitetit ekonomik dhe detar të Shqipërisë.

Ndërkohë që asnjë marrëveshje diplomatike midis dy vendeve nuk është arritur, në Detin Jon pala greke sikur të ishte territor i saj vazhdon aktivitetet e saj eksploruese me sonda dhe me shpime “drill baby drill”, pa një marrëveshje të qartë dhe pa asnjë përfitim konkret për Shqipërinë.

Turp dhe marre për këtë klasë politike hajdute, anti-shqiptare, zero transparencë, zero dinjitet, zero interes kombëtar.

Pyetja thelbësore që duhet të bëjnë të gjithë Shqiptaret është:

Si ka mundësi që politika shqiptare hesht?
Si ka mundësi që një kryeministër, për të ruajtur pushtetin e tij personal është i gatshëm të negociojë edhe kundër interesave strategjike dhe ekonomike të vendit?

Ky nuk është më problem politik, por është çështje kombëtare dhe për këtë arsye Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos presin që SHBA-të dhe Trump do t’i nxjerrin nga varfëria.

Mjaft më me këtë teatër të turpshëm!
Shqipëria nuk mund të jetë monedhë shkëmbimi për karrigen e askujt.
Shqipëria sot nuk po përballet vetëm me presion të jashtëm, por me një dorëzim të plotë të brendshëm të sovranitetit të saj.

Ndërkohë që vendi përballet me sfida serioze ekonomike, sociale, sigurie, largimi në masë të popullsisë dhe gjeopolitike, qeveria zgjedh të bëjë spektakël diplomatik, duke lënë pas interesin kombëtar.

Koha për heshtje ka mbaruar.

Shqiptarët duhet të zgjohen para se çdo centimetër i këtij vendi të negociohet në heshtje. Kjo për shkak se kur një qeveri shet interesin kombëtar, heshtja nuk është më neutralitet por është bashkëfajësi.