Ballina Ekonomia Shqiptarët rendin të rivlerësojnë pronat, në 1 muaj 9500 aplikime

Shqiptarët rendin të rivlerësojnë pronat, në 1 muaj 9500 aplikime

73
0

Në të gjithë vendin, qytetarë e biznese po rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme. Shifrat e siguruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, tregojnë se interesi më i madh është në Tiranë dhe Durrës, ku kërkesa për prona është më e lartë, dhe njëkohësisht edhe çmimet janë rritur më shumë.

“Të gjithë kanë interes sepse lëvizja e çmimeve këto pesë vite mund të themi është goxha e lartë”, thotë Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme.

Prej fundit të shkurtit kur nisi rivlerësimi e deri më tani janë regjistruar rreth 9,500 aplikime, nga të cilat 3,737 vetëm në Tiranë dhe 1500 të tjera në Durrës.

Vlerësuesi i pronave Ervin Demirxhiu thotë se në mungesë të referencave të reja në 60 bashkitë e vendit, (vetëm Tirana i ka referencat e 2023-shit -kurse të tjera të 2016-ës) qytetarët po i bëjnë rivlerësimet me ekspertë të licencuar për të marrë një çmim real të pasurisë së tyre.

“Përvec Tiranës, për bashkitë e tjera do të duhet të bëhet me raport vlerësim, pra nuk bëhet me çmim reference”, shprehet eksperti.

Por procesi po shoqërohet edhe me problematika.

“Ne rivlerësojmë pronën dhe paraprakisht ne kemi bërë një preventiv pak a shumë sa do të jetë vlera e tatimit 5% që do dalë për tu paguar. Ndërkohë, dalin vlera që s’kanë lidhje fare me realitetin dhe detyrohemi që t’i rifusim sërish nëpërmjet noterit për ta rishikuar”, thotë ai.

Rivlerësimi do të zgjasë deri në 31 dhjetor 2026, dhe synon që të afrojë vlerën që ka prona në kartelën e saj të regjistrimit në Kadasët, me çmimet aktuale në treg. Marrë shembull. Nëse një person ka blerë një pronë 50 mijë euro dikur (e deklaruar kjo në letra) dhe sot e shet 100 mijë euro (saç është berë vlera reale e tregut), pa rivlerësimin, ai do të duhet të paguajë 15% tatimin për këtë diferencë prej 50 mijë eurosh, përkthyer në vlerë, 7,500 euro. Ndërsa me rivlerësimin vlera e apartamentit bëhet 100 mijë euro, pra përafrohet çmimi me vlerën reale tregut. Tatimi në këtë rast zbret në 5%, dhe qytetari paguan 2,500 euro.

“Mund të negociohet shumë mirë mes një shitësi dhe një blerësi”, thotë Demirxhiu.

A mund të sjellë kjo ulje në çmim? Eksperti thotë se ka pak shanse ta reflektojë këtë.

Për herë të parë me këtë rivlerësim, nga amortizimi i pronës për çdo vit përdorimi, dhe nga vlera e rivlerësuar do të ulet 1% për çdo vit vjetërsie, por jo më shumë se 30%.

“Ka qytetarë që nuk e duan amortizimin. Domethënë është rënë dakord për një shitje, mund të kenë rënë dakord me çmimin e referencës, ndërkohë me amortizim e ul dhe në momentin që qytetari shet pronën i del sërish për t’u paguar faturë që del me 15%, ky është problemi”, thotë eksperti.

Rivlerësimi bëhet me dy alternativa. Kur një individ zgjedh që rivlerësimin ta bëjë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, vlera e pronës së tij i afrohet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi. Tarifat për këtë shërbim në kadastër nisin nga 3.500 deri në 10 mijë lekë në varësi të vlerës që pronës. Ndërsa kur rivlerësimi bëhet me ekspertë të licencuar, vlera e pronës mund të dalë edhe më e lartë, dhe tarifa për shërbimin caktohet nga vetë vlerësuesi i pasurisë, dhe arrin deri në 200 euro. Nëse një pronë shitet në të ardhmen me çmimin e rivlerësimit, nuk paguhet më tatim. Për cdo shifër mbi vlerën e rivlerësimit, tatimi është 15%.