Ballina Politika Kapidani: Pogradeci i Ramës, spektakël luksi përballë halleve të shqiptarëve

Kapidani: Pogradeci i Ramës, spektakël luksi përballë halleve të shqiptarëve

36
0

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani, e ka cilësuar mbledhjen dyditore të qeverisë në Pogradec si një “spektakël politik” për të larguar vëmendjen nga problemet dhe përgjegjësitë e qeverisë. Kapidani vë në dukje kontrastin mes pensionistëve që presin në radhë për të takuar Ramën dhe luksit të kryeministrit, ndërsa ngre pyetjen: “Kush i kërkon llogari Edi Ramës?”.

Në reagimin e saj, ajo kërkon dorëheqjen e kryeministrit, duke theksuar se shqiptarëve nuk u duhet një tjetër shfaqje, por një tjetër qeverisje.

Reagimi i plotë:

Pogradeci i Ramës: një shfaqje që as falas nuk të tërheq më

Dy ditë mbledhje në Pogradec, ministra, deputetë, makina luksi dhe në fund… Një shfaqje e nivelit aq të dobët, saqë edhe po ta jepnin falas, nuk do të tërhiqte më njeri.

Por ndoshta pamja më groteske e këtyre dy ditëve ishte ajo e pensionistëve që u vunë në radhë për të takuar Ramën, me shpresën se kryeministri do t’u zgjidhte hallet.

Dhe në të njëjtën kohë, Rama shfaqet me një makinë luksoze që kushton rreth 120 mijë euro.

Ta vendosim në perspektivë: me një pension mesatar prej rreth 19 mijë lekësh, 120 mijë euro janë afërsisht 600 pensione mesatare mujore.

Pra, ndërsa pensionisti shqiptar numëron lekët për të blerë ilaçet dhe ushqimet e muajit, makina e kryeministrit vlen sa qindra pensione.

Kjo është Shqipëria e Ramës në një fotografi të vetme: pensionisti në radhë dhe kryeministri në luks.

Në një vend ku prej 86 ditësh kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, ai vazhdon të prodhojë spektaklin e radhës për të larguar vëmendjen nga problemi i vërtetë: fundi i tij politik dhe përgjegjësia për mënyrën se si është qeverisur vendi.

Rama pyet Diellën: “Si të duket Kumbaro?”

Po a ka guxim ta pyesë Diellën për Ballukun? Për skandalet? Për aferat? Për përgjegjësitë e qeverisë së tij?

Rama u kërkon administrates të japin dorëheqjen nëse nuk kanë punuar mirë. Edhe vitin e kaluar përdori të njëjtën gjuhë presioni ndaj tyre.

Por pyetja është shumë e thjeshtë: Kush i kërkon llogari Edi Ramës?

Nëse administrata nuk punon, kush e drejton?

Nëse ministrat dështojnë, kush i emëron?

Nëse pensionistët nuk përballojnë dot jetën, kur Shqipëria është shpopulluar kush ka 13 vjet që qeveris??

Nuk mund të jesh njëkohësisht ai që emëron, ai që drejton, ai që kontrollon dhe pastaj të dalësh para shqiptarëve sikur problemet t’i kanë krijuar të tjerët.

Kjo mbledhje në Pogradec nuk ishte zgjidhje. Ishte spektakël politik.

Shqiptarëve nuk u duhet një shfaqje tjetër.

U duhet një qeverisje tjetër.

Dhe për këtë duhet nisur nga e para:

Edi Rama Jep Dorëheqjen‼