Ballina Europë Pranga të riut shqiptar në Itali, trafikonte kokainë të fshehur në vazo...

Pranga të riut shqiptar në Itali, trafikonte kokainë të fshehur në vazo lulesh e pako çamçakëzi

87
0

Një 19-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në Cesenatico (provinca Forlì), i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, i riu u kap në flagrancë teksa i dorëzonte një blerësi një dozë kokaine prej rreth 1.2 gramësh. Pas ndërhyrjes, efektivët ndaluan të dy personat dhe ushtruan kontroll ndaj 19-vjeçarit, ku në xhepin e xhaketës iu gjetën 7 doza kokaine me peshë totale rreth 5 gramë, si dhe 385 euro cash, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet vijuan edhe në zonën përreth, ku në një kopsht lulesh – vend ku i riu ishte parë më herët – u zbuluan edhe 56 doza të tjera kokaine, me peshë rreth 42 gramë, të fshehura në katër kuti metalike çamçakëzi.

Kontrollet u shtrinë më pas edhe në banesën e tij, ku u sekuestruan dy doza të tjera kokaine, një dozë marihuane, rreth 1,500 euro para të gatshme, si dhe dy peshore elektronike dhe materiale të përdorura për paketimin e drogës. Gjykata në Forlì ka konfirmuar arrestimin e të riut, duke vendosur ndaj tij masën e qëndrimit të detyrueshëm në provincën Forlì-Cesena, deri në seancën e ardhshme gjyqësore, e cila pritet të zhvillohet në fund të muajit maj.