Donald dhe Melania Trump, si dhe anëtarë të kabinetit amerikan, u evakuuan nga salla e vallëzimit në Washington Hilton të shtunën, pasi u dëgjuan të shtëna me armë nga holli i hotelit.
Kryeministri kanadez Mark Carney, qeveria e të cilit ishte përfshirë në bisedime të tensionuara tregtare me SHBA-në, tha në platformën sociale X: “Jam i lehtësuar që Presidenti, Zonja e Parë dhe të gjithë të ftuarit janë të sigurt pas raportimeve për të shtëna me armë në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington sonte.”
“Dhuna politike nuk ka vend në asnjë demokraci dhe mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë tronditur nga kjo ngjarje shqetësuese.”
Udhëheqësja e fqinjit jugor të Amerikës, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, tha se ishte gjë e “mirë që Presidenti Trump dhe gruaja e tij janë të sigurt pas ngjarjeve të fundit”.
«U shprehim respektin tonë. Dhuna nuk duhet të jetë kurrë rruga e duhur», tha Sheinbaum.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ishte i kënaqur që dëgjoi se të gjithë pjesëmarrësit ishin shëndoshë e mirë. “Ne e përgëzojmë punën e Shërbimit Sekret dhe agjencive të zbatimit të ligjit për veprimin e tyre të shpejtë”, tha ai në një deklaratë.
Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Christian Turner, dhe disa zyrtarë të ambasadës ishin të pranishëm në darkë. Ai tha në X, se ai dhe të tjerët ishin “mirënjohës për reagimin e shpejtë dhe profesional të shërbimit sekret”.
“Jemi mirënjohës që presidenti dhe të pranishmit mbetën të padëmtuar dhe urimet tona më të mira janë me oficerin e plagosur”, tha Turner.
Jeffrey Carroll, shefi i policisë së Uashington D.C., tha se hetuesit besojnë se i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri dhe ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai tha gjithashtu se i dyshuari besohet të ketë qenë mysafir në hotel.
Muriel Bowser, kryebashkiake e Uashington DC, tha në një konferencë për shtyp të shtunën në mbrëmje se një person i armatosur, i vetëm sulmoi Shërbimin Sekret në hollin e hotelit. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se dikush tjetër ishte i përfshirë në incident, tha ajo.
I dyshuari është në paraburgim dhe po “vlerësohet” në një spital lokal. Ai u identifikua si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance, Kaliforni, raporton Associated Press, duke cituar dy zyrtarë të zbatimit të ligjit.







