Ballina Kronika “Duan të më frikësojnë”/ Përfshihet nga flakët automjeti i gazetarit në Bulqizë:...

“Duan të më frikësojnë”/ Përfshihet nga flakët automjeti i gazetarit në Bulqizë: E qëllimshme!

76
0

Një automjet u përfshi nga zjarri gjatë natës në Bulqizë, në një ngjarje që mbetet ende e paqartë për autoritetet. Mjeti i përket gazetarit Sami Curri dhe ishte i parkuar pranë pallatit ku ai jeton.

Sipas të dhënave fillestare, flakët u konstatuan rreth orës 02:45. Banorët e zonës njoftuan menjëherë zjarrfikëset, të cilat ndërhynë për të shuar zjarrin. Pavarësisht ndërhyrjes, automjeti pësoi dëme të rënda dhe u shkatërrua pothuajse plotësisht.

“Jam njoftuar rreth orës 3 pa një çerek të mëngjesit që është vënë zjarr te makina, nga një komshi i katit të tretë, makina është e parkuar rreth 30 metra larg nga pallati ku unë banoj me nënën time. Fatmirësisht, pa dëme të tjera te makinat ngjitur”, shpjegon ai.

Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me zjarrvënie të qëllimshme. Vetë Curri shpreh dyshime në këtë drejtim dhe e lidh ngjarjen me aktivitetin e tij profesional.

“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj, por së pari iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi dhe një nga çmimet jo ishte”, shprehet ai.

Gazetari ka rreth një dekadë përvojë në profesion dhe fokusohet në çështje që lidhen me prokurimet publike, veprimtarinë e pushtetit vendor dhe sistemin e drejtësisë në qarkun Dibër.

“Për mua është absolutisht e qëllimshme dhe me qëllimin kryesor për të më përcjellë mesazhin që kjo ishte e para dhe mund të vazhdojë më tej. Kjo gjë nuk më ndal dot”, thotë Curri.

Ai shton se nuk ka një person konkret ndaj të cilit të drejtojë dyshimet. Policia ka kryer veprimet e para në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit. Ngjarja ka ngritur shqetësim në zonë dhe ka rikthyer vëmendjen te siguria e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.