Sot janë zhvilluar zgjedhjet për kryetar në degët e Partisë Demokratike në Maliq dhe Kolonjë, ku në të dyja rastet janë rizgjedhur drejtuesit aktualë.
Në degën e Maliqit, në garë ishin dy kandidatë, Jani Rovari dhe Nevjon Kodrasi. Në këtë proces morën pjesë 604 votues. Në përfundim të numërimit, Nevjon Kodrasi arriti të sigurojë 458 vota, duke u rizgjedhur sërish në krye të kësaj dege, ndërsa rivali i tij, Jani Rovari, mori 139 vota.
Ndërkohë, në degën e Partisë Demokratike në Kolonjë, garuan Viktor Duro dhe Nikolla Papajani. Nga votimi, Viktor Duro siguroi 124 vota, duke u konfirmuar sërish në detyrë si kryetar i degës, ndërsa Nikolla Papajani mori 80 vota.
Procesi i zgjedhjeve u zhvillua në mënyrë të qetë në të dyja këto degë, pa u shënuar asnjë problematikë apo incident gjatë votimit dhe numërimit të votave.
Në një postim në rrjetin social facebook, drejtuesi politik i PD qarku Gjirokastër, Tritan Shehu, shkruan se në Përmet është rizgjedhur kryetar i degës Arson Lipe, i cili garoi me Roland Bonjo.
Ndërsa në Tepelenë, kryetar i degës është rizgjedhur Malo Sadikaj, në një garë me Sevo Mici dhe Laviola Guma.
Shehu ka uruar fituesit dhe pjesëmarrësit në proces, duke theksuar se gara ka qenë dinjitoze dhe se pritet të forcojë strukturat lokale të partisë.
Ai ka shprehur gjithashtu urime për anëtarësinë e PD në këto degë, duke i inkurajuar për përballjet e ardhshme politike.







