Ballina Politika “Banesat e dëmtuara nga tërmeti, që nga viti 2019″/ ‘Foltore’, Zefi: 500...

“Banesat e dëmtuara nga tërmeti, që nga viti 2019″/ ‘Foltore’, Zefi: 500 familje prej 7 vitesh në harresë

143
0

Onelda Zefi, kryetare e degës nr. 6 në Tiranë, u shpreh në fjalën e saj gjatë foltores së PD-së se banorët e rrugës së Qelqit dhe të zonës së Kombinatit ndodhen prej shtatë vitesh në një situatë të papranueshme, pa zgjidhje përfundimtare për banesat e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Ajo theksoi se rreth 500 familje vijojnë të mbeten të lëna pezull, pa transparencë dhe pa një afat të qartë nga institucionet, ndërsa e cilësoi këtë një dështim të rëndë të qeverisjes vendore dhe qendrore.

Zefi nënvizoi se situata e krijuar nuk është thjesht një problem social, por një padrejtësi e vazhdueshme ndaj qytetarëve, të cilët, sipas saj, janë detyruar të përballen me kushte të vështira ekonomike dhe mungesë strehimi dinjitoz. Ajo kërkoi zgjidhje të menjëhershme, transparencë të plotë mbi procesin e rindërtimit dhe përgjegjësi për vonesat e akumuluara ndër vite.

Pjesë nga deklarata:

Jam këtu për të përcjellë mesazhin e banorëve të rrugës së Qelqit, të cilët prej shtatë vitesh janë ende në pritje të një përgjigjeje dhe të marrjes së një vendimi se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Jemi përballë një realiteti tronditës.

Kemi rreth 1200 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019. 450 familje të cilat janë strehuar në pallatet që janë ndërtuar në ish-Kombinatin Tekstil. Kemi 500 familje që janë ende të lëna pezull, pa asnjë përgjigje, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë afat të caktuar.

Banorët e Kombinatit prej shtatë vitesh mbijetojnë me një bonus qeraje prej 180,000 lekësh, ndërkohë që tregu i qirave në Kombinat është mbi 300,000 lekë. Përveç se ende nuk kanë marrë një zgjidhje, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre pjesën e mbetur të qirasë.

Janë larguar në zonat periferike të Tiranës, janë larguar nga komuniteti i tyre, ëh, janë larguar nga vendi ku kanë ndërtuar jetët e tyre për vite me radhë. Për sa kohë kemi njerëz që përfitojnë padrejtësisht dhe nga ana tjetër njerëz që presin pafundësisht, kemi të bëjmë me një sistem i cili nuk ka në qendër interesin e qytetarëve, por një sistem që sjell pasoja reale.

Kemi familjarë që janë ende në pritje. Kemi familjarë që kanë ndërruar jetë pa marrë ende një zgjidhje. Ëh, kemi fëmijë që po rriten të pasigurt dhe me shtëpi të paqëndrueshme. Ndaj sot, me zë të fortë dhe pa asnjë ekuivok, ne, banorët e Kombinatit, kërkojmë zgjidhje të menjëhershme.

Transparencë për çdo listë përfituesish, verifikim të çdo rasti abuziv, sepse kjo nuk është thjesht një çështje strehimi. Kjo është një çështje dinjiteti, është një çështje drejtësie sociale. Banorët e Kombinatit nuk kanë nevojë për mëshirë, nuk kanë nevojë për favore. Banorët e Kombinatit kërkojnë zgjidhje dhe ato i kërkojnë sot dhe tani.