Ballina Politika ‘Diagnoza: psikozë afektive’/ Blushi nxjerr kartelën e Ramës: Ja politikani me probleme...

‘Diagnoza: psikozë afektive’/ Blushi nxjerr kartelën e Ramës: Ja politikani me probleme mendore…

77
0

Blushi prezantoi një dokument që e cilësoi si kartelën mjekësore të Ramës, ku diagnoza ishte “psikozë afektive”. Sipas tij, kjo diagnozë përkthehet në “depresion të shkallës më të rëndë”.

“Nëse ka një politikan me kartelë të çertifikuar nga autoritetet mjekësore shqiptare, ai është Edi Rama,” deklaroi Blushi, duke shtuar se opinioni publik duhet të kuptojë “se në çfarë gjendje mendore kemi sot kryeministrin e vendit”. Duke iu përgjigjur interesit për shëndetin e Ilir Metës, Blushi pohoi se ish-presidenti është në “gjendje perfekte” dhe “në top formë shëndetësore”.

Ai shtoi se Meta madje kishte dalë “kampion absolut në ping-pong” në të njëjtën ditë, duke sfiduar këdo që të verifikonte gjendjen e tij pranë infermierëve të spitalit. Lidhur me shqetësimet e ngritura në opinionin publik për pamjen e Metës, Blushi i hodhi poshtë ato si të pabaza.

Ai justifikoi kostumin e gjerë me faktin se Meta ka humbur peshë dhe nuk ka pasur mundësi për rrobaqepës, ndërsa ngjyrën e zbehtë të lëkurës ia atribuoi ndriçimit të verdhë brenda ambientit ku ai mbahet. Blushi nuk kurseu as kritikat ndaj analistëve që komentuan për gjendjen e Metës, duke i quajtur “servilë” dhe “altoparlantë” të Ramës.

Ai kujtoi se të njëjtët persona dikur “mbanin radhë për t’i dhënë dorën” Metës kur ishte në pushtet dhe “prisnin jashtë restoranteve për të bërë foto” me të. Më tej, Blushi e cilësoi të gjithë debatin për shëndetin e Metës si një “retorikë banale” dhe një përpjekje të dëshpëruar të Ramës për të shmangur vëmendjen nga thelbi i çështjes gjyqësore kundër tij. Ai argumentoi se mbyllja e seancave për mediat dhe moslejimi i intervistave me Metën janë prova se pushteti i druhet përballjes së tij me publikun.