Kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orbán, ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë së tij të djathtë Fidesz, por kongresi i partisë në qershor do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo dorëheqjen e tij, deklaroi një deputet i Fidesz për mediat.
Partia e qendrës së djathtë Tisza, e udhëhequr nga Péter Magyar, fitoi zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së vendit nga nacionalisti Orbán dhe duke shkaktuar tronditje të brendshme në parti, si dhe thirrje për ndryshim brenda Fidesz.
Partia Fidesz do të votojë për një drejtim të ri në kongresin e 13 qershorit, tha deputeti Erik Bánki, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MTI.
Orbán nuk bëri deklarata për mediat pas mbledhjes së partisë së tij sot, dhe as publikoi ndonjë reagim në faqen e tij në Facebook.
Pas zgjedhjeve, Orbán deklaroi në kanalin e ekstremit të djathtë në YouTube, Patriota, më 16 prill, se si kryetar i Fidesz merr “përgjegjësinë e plotë” për humbjen e partisë së tij dhe se e djathta hungareze ka nevojë për “rinovim të plotë”.
Të shtunën, ai u shpreh në një video të publikuar në Facebook se do të “dorëzojë” mandatin e tij si deputet i Fidesz.
“Tani jam i nevojshëm jo në parlament, por në riorganizimin e së djathtës,” deklaroi Orbán, i cili ka qenë një aleat i ngushtë i presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ka pasur mbështetjen e tij para zgjedhjeve, si dhe mbështetjen e liderëve të ekstremit të djathtë në Evropë.
Po të shtunën, kryeministri në largim tha se grupi drejtues i Fidesz dëshiron që ai të mbetet në krye të partisë dhe se është “i gatshëm për këtë mision”, nëse kongresi i qershorit vendos që ai të vazhdojë si kryetar i saj.







