Ballina Kronika Plarent Dervishaj ikën në burgun e Peqinit, ‘Luli’ futet 7 ditë tek...

Plarent Dervishaj ikën në burgun e Peqinit, ‘Luli’ futet 7 ditë tek dhoma e Altin Ndocit. Rrajës, i zbutet siguria e regjimit

185
0

Nga Elton Qyno 

Vala e madhe e kontrolleve në disa nga burgjet e sigurisë së lartë dhe sigurisë së zakonshme të vendit, ka çuar në bllokimin e dhjetëra televizorëve, kabujve dhe antenave, e deri tek thikat artizanale e disa karikuesa telefonash. Por teksa Drejtoria e Burgjeve, thuajse çdo javë “ushqen” mediat me njoftimet e suksesit të kontrolleve nëpër burgje, në anën tjetër emra të njohur të botës së krimit kanë arritur të fitojnë privilegje, që deri pak ditësh nuk mund ti merrnin dot.

Pas largimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Klevis Qose dhe emërimit të drejtorit të ri të Burgjeve, Adriatik Kupi, është konstatuar një liberalizim i kushteve për disa nga emrat e njohur të botës së krimit. Mësohet se me firmën e Adriatik Kupit, është urdhëruar ndryshimi i sigurisë për të dënuarin me 6 vite burgim, Ramazan Rraja.

Nga qëndrimi në një sektor të sigurisë së lartë, Ramazan Rraja, tashmë ka hyrë në një regjim burgu të sigurisë së zakonshme, duke përfituar benefite që tek regjimi i sigurisë së Lartë nuk mund ti përfitonte dot. Rraja një personazh i botës së krimit në Fushë-Krujë dhe i lidhur me grupin e Plaurent Dervishaj në Durrës, është deklaruar fajtor për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal.”

Njëherësh ndaj Ramazan Rrajës është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” për “Trafik të lëndëve narkotike” në kuadër të Grupit të strukturuar kriminal”. Po kështu, dora është lëshuar dhe me Lulzim Berishën, i cili është transferuar për një periudhë 7 ditore, nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin tek dhoma speciale që ndodhet në ambientet e spitalit Infektiv në Durrës, nga e cila u arratis pak muaj më parë dhe Altin Ndoci.

Gjithashtu mësohet se pak ditë më parë është transferuar në burgun e Peqinit dhe Plaurent Dervishaj. Transferimi i tij është realizuar nga ambientet e burgut Nr.313 në Tiranë drejt Peqinit.

Njëherësh nga paraburgimi i sigurisë së lartë drejt burgut të sigurisë së zakonshme Fushë-Krujë, është zhvendosur dhe Durim Bami, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Fushë-Krujës.

Bamit më parë i ishte refuzuar kërkesa për transferim. Por pas ndryshimit të lidershipit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, më pas kërkesa e tij është miratuar, duke u çuar në “habitatin” e tij në burgun e Fushë-Krujës./Syri