Ballina Sport Humbja ndaj Tiranës, trajneri i Teutës: Jam i zhgënjyer, duhet të gjejmë...

Humbja ndaj Tiranës, trajneri i Teutës: Jam i zhgënjyer, duhet të gjejmë “ilaçin” e duhur

19
0

Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, analizoi humbjen 0-1 ndaj Tiranës.

“5 humbje radhazi, çfarë nuk po shkon? Nuk gjej dot fjalët e sakta, jemi të gjithë të zhgënjyer, asnjëherë nuk e kishim menduar. Kjo është jeta, ky është futbolli. Kur mendon se i ke kaluar të gjitha në futboll, por jo, nuk e kisha kaluar kurrë as si futbollist, as si trajner diçka të tillë. Nuk di të them një fjalë të zgjuar tani apo për të ngushëlluar situatën ku jemi.

Nuk e kishim menduar. Unë si trajner, marr të gjithë përgjegjësinë që duhet. I pari jam unë përgjegjës për të gjithë këto rezultate, gjithashtu, dua të them, nuk them që ekipi nuk donte. Por këto humbjet njëra pas tjetrës, kanë krijuar problemin psikologjik, që nuk kemi mundësi të shprehim atë që duam apo atë për të cilën stërvitemi.

Do mundohemi, nuk kemi shumë kohë, por do të flasim edhe me drejtuesit. Të gjejmë ilaçin e duhur, na ka kapur një virus që nuk e gjejmë dot. Mundohemi çdo ditë që të ngrejmë anën psikologjike dhe morale të lojtarëve. Nuk e kuptoj, kishim kontroll. Pastaj një vendosje jo e mirë, marrim gol. Është shumë e vështirë të thuash diçka konkrete dhe që mund të paraqesë të gjithë imazhin e lojës sonë apo situatës ku jemi. Do flas me drejtuesit, të gjejmë ilaçin e duhur. Nëse do më kishin thënë para 5 javësh për këtë situatë, do të kisha shitur ndonjë veshkë, s’më kishte shkuar në mend.

Janë shumë faktorë që rrjedhin si punë zinxhiri, psikologjia, trysni që po humbe ndeshjen, lojtarët nuk i kontrollojnë gjithë emocionet. Duhet të ishim më të qetë. Nëse e shohim tamam, ne me një goditje pësojmë përsëri gol. Rastet ishin me pikatore nga të dyja ekipet, ishte ndeshje për 0-0 dhe na ka futur në një situatë shumë të vështirë, duhet ta pranojmë.

Sa e vështirë, çfarë prisni nga klubi? Vetëm ma jep atë ilaç. Jemi në vështirësi, por përsëri është në dorën tonë, jemi përpara, kemi dy ndeshje. Të gjejmë forcat përbrenda, të karikojmë bateritë, pasi i kemi të shkarkuara. Por përsëri është në dorën tonë, e njëjta Teuta që para 5 javësh ishte ekip solid dhe kundërshtarët kishin respekt.

Sot edhe më një gabim në vendosje, erdhi edhe goli. E kishim analizuar Tiranën, kjo na vret më shumë. U bënë shumë këto situata, kjo është ana psikologjike, që humbet vëmendja. Edhe lojtarët janë njerëz, duhet reflektim i ekipit, gjithçka në dorën tonë që të gjejmë forcën dhe energjitë e duhura.

Teuta për mbijetesë apo mund të shkonte lart? Nuk e kisha menduar kurrë. Në mënyrë metafore e thashë, që do të kisha shitur diçka të shtrenjtë, pasi s’e mendoja që të luftonim për mbijetesë. Nuk e di si kemi ardhur deri këtu. Përgjegjësia më e madhe bie mbi mua, i marr të gjitha që duhen. E di që kam mbështetjen e drejtuesve, por jam në dispozicionin e ekipit, çfarë është më e mira, jam lindur e rritur këtu. Nuk do e mendoja që me mua në krye, Teuta të luftonte për mbijetesë, e paparashikuar. Duhet të më pickosh tani, mendoj që është ëndërr”, tha Dobi.