Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “The Wanted”. Në pranga ka rënë një 26-vjeçar, pasi akuzohet për kultivimin e 10 900 bimëve narkotike.
I riu pritet të ekstradohet nga Spanja. 26-vjeçari Algert Zeneli, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se gjatë vitit 2023, në fshatin Kir, Njësia Administrative Pult, si dhe në disa zona të tjera në afërsi të fshatit Theth, në territorin e Shkodrës, ky shtetas, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, ka kultivuar 10 900 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Madrid, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi i këtij shtetasi drejt Shqipërisë.







