Ballina Aktualitet Veliaj kërkon administratën e bashkisë të shkojë në gjyqin kundër Ols Dados

Veliaj kërkon administratën e bashkisë të shkojë në gjyqin kundër Ols Dados

78
0

Ditën e premte, më 8 maj, ora 14:00, në Gjykatën Administrative zhvillohet seanca gjyqësore për padinë e bërë nga Erion Veliaj ndaj prokurorit Ols Dado. Një padi qesharake, skandaloze, që lidhet me faktin se prokurori Ols Dado, së bashku me prokurorin Altin Dumani, kanë hetuar Veliajn dhe kanë ngritur mbi të 13 akuza të rënda penale.

Ndërkohë që Altin Dumanit, Veliaj dhe të tijtë kanë frikë t’i përmendin emrin, ndaj Ols Dados kanë përqendruar gjithë baterinë e tyre mediatike të sulmeve, pa lenë mënjanë edhe lobimet e huaja.

Koha i ka treguar të gjitha, në mënyrë të veçantë gjithçka u zbulua nga përgjimet në burgun e Durrësit, të publikuara edhe nga CNA në prill të vitit 2025.

Qëllimi i Erion Veliajt është të intimidojë sa më shumë prokurorin Ols Dado, jo vetëm nëpërmjet medieve, por dhe nëpërmjet kallëzimeve në Gjykatën Administrative duke kërkuar që ai të shkarkohet dhe më pas Veliaj të kërkojë pavlefshmërinë e akteve hetimore.

Skema është e qartë dhe Erion Veliaj tashmë ka hedhur një hap më tej me presionet e sulmet e tij.

Burime zyrtare thanë për CNA se në korridoret e Bashkisë së Tiranës, po u kërkohet administratës dhe drejtuesve që të jenë prezentë në gjyqin e së premtes në Gjykatë Administrative.

Çfarë pune kanë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, drejtorët apo administrata të shkojnë në një gjyq administrativ, kundër një prokurori, bërë me qëllime të tjera nga Erion Veliaj?!

Qartazi duket që është thjesht dhe vetëm një presion ndaj gjyqtarit të çështjes.

Në fakt, administrata e bashkisë u mblodh edhe përpara SPAK-ut në një protestë të turpshme në momentin që u arrestua Erion Veliaj, e cila ngelet një njollë në historinë e kësaj bashkie. Nga ana tjetër, CNA ka mësuar se po kërkohet me këmbëngulje nga drejtues të Bashkisë Tiranë që të jenë prezentë, duke thënë se duhet të shkojnë në Gjykatën Administrative të mbështesin kryetarin e bashkisë.

Bashkia e Tiranës dhe vetë turpërisht është përfshirë në padinë që Erion Veliaj ka bërë ndaj prokurorit Ols Dado. Nuk dihet arsyeja pse është përfshirë Bashkia e Tiranës, pasi i pandehur nuk është marrë ky institucion, por i pandehur është marrë shtetasi Erion Veliaj, në detyrën e kryetarit të bashkisë, për shkeljet ligjore që ka kryer dhe ka 13 akuza të rënda penale.

Bashkia e Tiranës është përfshirë dhe vetë në këtë padi, që në fakt e implikon në një çështje ku nuk duhet të përfshihej.

Për këtë arsye CNA, më 13 shkurt të vitit 2026, i ka dërguar disa shkresa Bashkisë së Tiranës, e cila refuzon t’i përgjigjet pyetjes: Pse është përfshirë në kallëzimin ndaj prokurorit Ols Dado dhe pse kjo bashki nuk bën kallëzime ndaj prokurorëve të tjerë? Se mund të ketë dhjetëra prokurorë të tjerë për të cilët mund të ketë dyshime apo të pretendohet se janë emëruar në të njëjtën formë si Ols Dado.

Bashkia e Tiranës nuk e ka bërë për prokurorë të tjerë, por pikërisht është përfshirë në një skandal, për të dalë në krah të kryetarit të bashkisë, duke u lidhur me kryetarin e përkohshëm, i cili ndodhet në burg për 13 akuza të rënda penale. Është e padëgjuar më parë se si bashkia e kryeqytetit përfshihet në një çështje të tillë, pa lënë mënjanë se po kërkohen dhe po detyrohen punonjësit të marrin pjesë në gjyqin e ditës së premte për të ushtruar një presion të qartë ndaj gjyqtarit të çështjes, Hazbi Balliu./ CNA