Të paktën tre persona ishin vrarë dhe më shumë se njëzet të tjerë u patën plagosur kur raketat e NATO-s goditën Ambasadën Kineze në Beograd, natën ndërmjet shtatë dhe tetë majit 1999. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë gjithë natës duke kërkuar të mbijetuar mes rrënojave të ndërtesës së ambasadës.
Ajo, sipas një shkrimi të 8 majit 1999 të agjencisë së lajmeve Associated Press, thuhej se ishte goditur nga një ose më shumë raketa të premten e asaj natë, që ishte cilësuar si më e rënda e bombardimeve në kryeqytetin jugosllav që nga nisja e sulmeve ajrore të aleancës së NATO-s më 24 mars të po atij viti.
Shpëtimtarët kishin nxjerrë trupin e një viktime, ndërsa po vazhdonin të kërkonin edhe persona tjerë që figuronin të zhdukur. Policia dhe ushtria serbo-jugosllave patën bllokuar bulevardin e mbushur me vrima nga copëzat e predhave, ndërsa zjarrfikësit shuanin zjarret që ende digjeshin brenda ndërtesës. Zyrtarët në Beograd patën shprehur zemërim të shtuar për bombardimet e kësaj nate.
“Ky ishte një akt kriminal, si edhe aktet e tjera kriminale në vendin tonë. Për një muaj e gjysmë njerëzit janë vrarë dhe bombarduar. Tani është ambasada kineze. Ajo u godit me shumë sukses nga dy bomba. Nuk është gabim kur diçka goditet me dy bomba”, pati thënë Goran Matiq, ministër pa portofol në qeverinë jugosllave.
Ndërtesat në rrugët përreth gjithashtu ishin dëmtuar nga bombat që këtë natë ranë më shumicë edhe mbi shtabin e ushtrisë, Ministrinë e Jashtme dhe ndërtesën e Qeverisë së Serbisë, të cilat pësuan dëme të mëdha.
Si ndërtesa e ushtrisë ashtu edhe ajo e Ministrisë së Jashtme ishin goditur edhe më parë dhe ishin zbrazur para bombardimeve të mëhershme.
Efektet e sulmeve të rrepta ishin vërejtur edhe te Hoteli Jugosllavia, që po ashtu ishte goditur. NATO-ja pati thënë se hoteli po përdorej për akomodimin e trupave të forcës paramilitare serbe “Tigrat e Arkanit”.
Përballë Ambasadës Kineze, dy katet e sipërme të ndërtesës së Qeverisë serbe ishin shembur.
Një person që kishte qëlluar në punë këtu, atë natë, tha se ishte me fat që kishte mbijetuar.
“Isha duke e kthyer makinën mbrapa dhe ktheva kokën – dy metra larg ndodhi shpërthimi. Një copë predhe ma theu xhamin e përparmë dhe xhamat u copëtuan, por unë mbijetova”, pati deklaruar Ljubisha Ristiq, i cili, në fakt, ishte edhe president i partisë së Majtë Jugosllave, të bashkëthemeluar nga gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq.
Me zbardhjen e ditës të së shtunës, përmasat e dëmit në ambasadë dhe ndërtesat përreth ishin bërë më të dukshme.
NATO deklaroi se nuk e kishte shenjëstruar qëllimisht ambasadën ndërsa shprehu keqardhje për çdo humbje jete apo plagosje të shkaktuar nga sulmi.
Të njëjtën e kishte bërë edhe presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, por ky nuk kishte dhënë urdhër për të ndalur bombardimet. Për më tepër, kishte fajësuar Sllobodan Millosheviqin për atë që kishte ndodhur. Të njëjti i kishte kërkuar të dorëzohet në mënyrë që kosovarët të kthehën lirshëm në shtëpitë e tyre
“Nëse duan që bombardimet të ndalen, atëherë kosovarët duhet të kthehen në shtëpi. Ne duhet ta zmbrapsim spastrimin etnik. Duhet të dimë se ata do të jenë të sigurt dhe kjo është ajo për të cilën do t’i inkurajoja të gjithë të mendojnë”, pati thënë ai, më 8 maj. “E dini, do të doja të shihja edhe disa demonstrata kundër trajtimit çnjerëzor ndaj kosovarëve të pambrojtur. Nuk i fajësoj njerëzit që janë të zemëruar për këtë – edhe unë jam i zemëruar”.
Pekini e kishte quajtur sulmin “një shkelje flagrante të sovranitetit kinez”.
Ajo pati ftuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të shtunën, për të dënuar sulmin.
Kina kërkonte që Kombet e bashkuara ta hetojnë bombardimin dhe që NATO të japë shpjegime.







